Përmbyset autobusi në Brazil, të paktën 15 të vdekur

18/10/2025 21:59

Një aksident rrugor ka ndodhur në verilindje të Brazilit, ku një autobus pasagjerësh u përmbys dhe si pasojë kanë humbur jetën 15 persona.

The Guardian raporton se autobusi, i cili transportonte rreth 30 pasagjerë, ishte nisur nga shteti i Bahias dhe u rrëzua pranë qytetit Saloá, në shtetin fqinj të Pernambucos. Ende nuk dihet numri i saktë i të plagosurve, të cilët u dërguan me urgjencë në spitalet e zonës.

Sipas policisë, shoferi humbi kontrollin e mjetit ku kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas me gurët në anë të rrugës.

Gjithashtu mësohet se shoferi i automjetit ka marrë disa lëndime të lehta, ati i është bërë edhe testi i alkoolit i cili ka rezultuar negativ.

Guvernatori i Bahias, Jerônimo Teixeira, u shpreh në platformën X se autoritetet po bashkëpunojnë në operacionet e shpëtimit dhe identifikimin e viktimave.

“Po e ndjek situatën me ekipin tim dhe mbaj zi të thellë për humbjen e jetëve, lëndimet dhe vuajtjet e të gjitha familjeve”, shkroi ai.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, më shumë se 10,000 persona humbën jetën në aksidente trafiku në Brazil gjatë vitit 2024.

Ky është aksidenti më i rëndë i këtij viti në vend, pas disa ngjarjeve të ngjashme me pasoja tragjike. Në prill, 11 persona, mes tyre dy fëmijë, humbën jetën në një përmbysje autobusi në juglindje të Brazilit, ndërsa në shkurt një tjetër aksident në São Paulo mori 12 jetë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta