Nuk do të ketë mbulime të fytyrës në ambiente publike për arsye fetare, parlamenti portugez miraton projektligjin e ri

18/10/2025 14:47

Parlamenti i Portugalisë ka miratuar një projektligj të propozuar nga partia e ekstremit të djathtë Chega, i cili ndalon veshjet që mbulojnë fytyrën për arsye fetare apo gjinore. Ligji ka marrë mbështetjen e partive të qendrës së djathtë, ndërsa është kundërshtuar nga partitë e majta.

Sipas projektligjit, ndalohet “përdorimi, në hapësirat publike, i veshjeve që mbulojnë ose pengojnë identifikimin e fytyrës”, çka prek drejtpërdrejt gratë që mbajnë burka ose nikab. Nisma ndalon gjithashtu detyrimin e individëve për të mbuluar fytyrën për arsye fetare apo gjinore.

Megjithatë, ligji përfshin përjashtime të caktuara si për shembull ai nuk do të zbatohet në aeroplanë, ambiente diplomatike dhe konsullore, apo në vende adhurimi. Përjashtohen gjithashtu rastet kur fytyra mbulohet për arsye sigurie, klimatike apo sipas dispozitave të tjera ligjore.

Projektligji tani do të kalojë për shqyrtim në Komisionin për Çështjet Kushtetuese, të Drejtat, Liritë dhe Garancitë, ku mund të pësojë ndryshime përpara votimit përfundimtar në seancë plenare. Për të hyrë në fuqi, ai duhet të miratohet nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa, i cili ka të drejtën ta kthejë pas ose ta referojë në Gjykatën Kushtetuese.

Në rast miratimi përfundimtar, ndalimi do të zbatohet në të gjitha hapësirat publike, përfshirë rrugët, shërbimet publike, qendrat tregtare, ngjarjet sportive dhe protestat, me gjoba që variojnë nga 200 deri në 4,000 euro, në varësi të rrethanave.
Për më tepër, individët që detyrojnë të tjerët të mbulojnë fytyrën përmes dhunës, kërcënimeve apo shtrëngimit mund të përballen me deri në tre vjet burg ose gjobë.

Kreu i Chega-s, André Ventura, e justifikoi ligjin me nevojën për të mbrojtur vlerat dhe zakonet portugeze. “Kushdo që vjen në Portugali duhet t’i respektojë traditat e këtij vendi,” deklaroi ai në parlament.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste, Pedro Delgado Alves, e kritikoi iniciativën si një përpjekje për të nxitur ndasitë dhe urrejtjen ndaj komuniteteve të caktuara fetare. PSD, partia në pushtet, deklaroi se është e hapur për diskutim, por theksoi nevojën për përmirësime të mëtejshme në tekstin e ligjit.

Nëse miratohet përfundimisht, Portugalia do t’i bashkohet një grupi vendesh evropiane si Franca, Belgjika, Austria dhe Holanda, të cilat kanë ndaluar mbulesat e fytyrës në hapësira publike, në emër të sigurisë dhe integrimit shoqëror.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta