Lidhja me këngëtaren 7 vite më të madhe, darkat 800 euro të nënës së tij dhe autografet me pagesë/ Lamine Yamal nën presion nga Barça dhe Spanja

18/10/2025 09:49

Lamine Yamal, adoleshenti i mrekullueshëm i Barcelonës dhe Kombëtares së Spanjës, është sërish në qendër të vëmendjes – jo vetëm për talentin e tij në fushë, por edhe për zhurmën që po krijohet rreth tij jashtë saj.

Pas një serie përplasjesh dhe deklaratash publike mes trajnerit të Barcelonës, Hansi Flick, dhe teknikut të Spanjës, Luis de la Fuente, është e qartë se menaxhimi i yllit 18-vjeçar është kthyer në një çështje të nxehtë.

Lëndimi që ndezi gjithçka

Flick e akuzon publikisht De la Fuente-n se nuk po kujdeset siç duhet për lojtarin, duke përmendur faktin që Yamal është aktivizuar për Spanjën në shtator, pavarësisht një problemi të vazhdueshëm në ijë – një lëndim që e ka kufizuar te Barça, ku ka luajtur vetëm 4 nga 8 ndeshje në La Liga dhe 1 nga 2 në Champions League.

Tani, me rikthimin e tij të mundshëm nesër ndaj Girona, në prag të “El Clásico”-s ndaj Real Madridit, tensioni rreth situatës së tij është në kulm.

Jeta private në syrin e ciklonit

Thashethemet për një romancë me reperen argjentinase Nicky Nicole dhe vëmendja e vazhdueshme nga mediat rozë kanë kthyer jetën personale të Lamine – i lindur në vitin 2007 – në objekt analizash e spekulimesh të përditshme. Flick, i pyetur për këtë, u shpreh prerazi:

“Për mua e vetmja gjë që ka rëndësi është si stërvitet. Ai është shumë profesionist. Jeta e tij private? Nuk përfshihem.”

Skandali i rremë dhe reagimi i Flick

Sot, një tjetër lajm shpërtheu në mediat katalanase: se Lamine Yamal kishte mbërritur me vonesë në një takim teknik para ndeshjes me PSG, dhe se drejtori sportiv Deco e kishte ndaluar Flick-un ta ndëshkonte, ndryshe nga ç’kishte ndodhur me lojtarë të tjerë si Kounde.

Trajneri gjerman reagoi ashpër: “Kjo është një gënjeshtër. Kushdo që e ka thënë këtë, po mashtron. Deco ka mbështetjen time maksimale – ai kurrë nuk do të më urdhëronte çfarë të bëja.”

Nga darka me nënën te autografet e shitur

Çdo gjë që rrethon Lamine Yamal shndërrohet në lajm. Së fundmi, nëna e tij ofroi një darkë me të në restorantin luksoz Nobu në Londër për 800 paund, ndërsa babai i tij vijon të tërheqë vëmendje me sjellje të cilësuara si “të ekzagjeruara”.

Një tjetër raport i diskutueshëm vjen nga Mundo Deportivo, që pretendon se Lamine ka nënshkruar një kontratë ekskluzive me një kompani private për autografet e tij, duke refuzuar të firmosë fanella për tifozët. Asnjë konfirmim zyrtar nuk është dhënë deri tani.

400 milionë euro nga Al Hilal? Një tjetër gjueti klikimesh

Portalet e transferimeve nuk kanë munguar me lajme të bujshme: sipas një burimi të pabazuar, Al Hilal ishte gati t’i ofronte Barcelonës 400 milionë euro për Lamine Yamal. Kjo u hodh poshtë menjëherë nga Barça dhe nuk pati asnjë reagim nga Arabia Saudite – një tjetër “fake news” që mbijeton vetëm për të gjeneruar klikime.

Presioni mbi Messin e ri

Lamine Yamal po konsiderohet nga shumë si pasardhësi i Lionel Messit. Por ndërsa Messi kaloi një rini relativisht të qetë dhe të mbrojtur, Yamal po rritet në një mjedis ku zhurma mediatike, presioni komercial dhe spekulimet personale janë të pamëshirshme.

Për Barcelonën dhe stafin e tij, sfida nuk është vetëm ta zhvillojnë si futbollist – por ta mbrojnë nga zhurma, që në këtë moshë, mund të jetë shumë më e rrezikshme se çdo kundërshtar në fushë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta