
Rrugë më të sigurta dhe shoferë e kalimtarë më të kujdesshëm. Plani i veprimit për sigurinë rrugore 2026-2028 i hapur për konsultim publik deri më 17 tetor, synon të rris njohuritë e drejtuesve të mjeteve në një nivel me mesataren e Bashkimit Evropian si dhe të monitorojë performancën e sjelljes së përdoruesve të rrugës për të rritur sigurinë.
Për të realizuar këtë objektiv, Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka hartuar një strategji ku kërkon angazhimin ndërinstitucional për përmirësimin e sigurisë rrugore.
Në planin e veprimit parashikohet themelimi i Akademisë Kombëtare të Drejtimit, e pajisur me poligone të specializuara trajnimi dhe programe edukative, gjithashtu përfshihen edhe kurse për drejtuesit me shkelje.
Ky projekt pritet të fillojë funksionimin në vitin 2027 me buxhetin e DPSHTRR-së, si edhe me rolin mbështetës nga autoshkollat. Në dokument thuhet se në poligone do të duhet të kryhen edhe ushtrime praktike për nxënësit; si dhe përcjell nevojën për modernizimin e kurrikulës për sigurinë rrugore.
Përmirësimi i sistemit të edukimit planifikohet të përqendrohet jo vetëm në teori, por edhe në praktikë ku kjo reformë për sigurinë rrugore planifikon edhe rishikimin e librave për fëmijët si edhe materialet për mësuesit brenda dy vitesh në vlerën e 8 milion lekëve.
Krahas mbështetjes së Ministrisë së arsimit, ndryshimet do të përfshijnë edhe Ministrinë e Shëndetësisë ku me një buxhet në koston e 3 milion lekëve pritet të bëhet rishikimi i përmbajtjes së ndihmës së shpejtë në arsimin e mesëm gjatë vitit 2027. Në planin e veprimit vihet re edhe kërkesa për angazhimin e universiteteve për të realizuar punë kërkimore dhe përcjelljen e njohurive për sigurinë rrugore.
Gjithashtu vlerësohet e nevojshme puna e bashkive që të koordinohen me komunitetet lokale në lidhje me aktivitete ndërgjegjësuese. Me rëndësi për përmirësim shohin edhe rolin e sektorit privat, konkretisht vlerësohet se kompanitë e sigurimeve nuk janë shumë të përfshira në çështjet e sigurisë rrugore dhe kërkohet që kjo situatë të ndryshojë.
Top Channel