
Franco Foda do të vijojë të drejtojë përfaqësuesen e Kosovës, pasi Federata e Futbollit e Kosovës ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin gjerman deri në vitin 2027.
Lajmi u konfirmua nga një njoftim zyrtar i FFK-së, ku theksohet se marrëveshja është formalizuar më 6 tetor, në ditën e parë të grumbullimit të ekipit kombëtar për ndeshjet e muajit tetor.
Sipas Federatës, kontrata e Fodas përfshin edhe një klauzolë automatike rinovimi, e cila hyn në fuqi nëse Kosova arrin të kualifikohet në Kampionatin Europian të ardhshëm.
Njoftimi i FFK-së:
“Federata e Futbollit e Kosovës ka kënaqësinë të njoftojë se ka zyrtarizuar marrëveshjen e mëhershme me përzgjedhësin Franco Foda për të vazhduar bashkëpunimin edhe për 2 vite. Kontrata është nënshkruar nga Presidenti Agim Ademi dhe trajneri Foda, duke konfirmuar qëndrimin e tij në krye të ekipit kombëtar deri në vitin 2027.”
Foda, i cili mori drejtimin e Kosovës më herët në vitin 2024, ka si qëllim të afërt të rindërtojë një ekip konkurrues dhe të çojë “Dardanët” drejt një kualifikimi historik në një turne madhor. Me kontratën e re, ai ka mbështetjen e plotë të Federatës për të ndërtuar një projekt afatgjatë dhe për të zhvilluar talentet e futbollit kosovar.
Top Channel