Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla do të bëjnë një vizitë zyrtare në Vatikan javën e ardhshme, ku monarku britanik do të bëhet i pari që do të lutet publikisht me Papën në pesë shekuj që nga Reformimi.

Lutja e përbashkët e Charles dhe Papa Leo do të jetë një moment veçanërisht i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Kishës Katolike Romake dhe Kishës së Anglisë, ku mbreti është Guvernator Suprem. Sipas Sky News, ata do të marrin pjesë në një shërbim të veçantë ekumenik në Kapelën Sistine, kushtuar forcimit të unitetit dhe bashkëpunimit midis kishave të ndryshme të krishtera.

Vendimi për t’u lutur së bashku shënon herën e parë që nga Reformimi 500 vjet më parë që një monark anglez dhe Papa kanë ndarë një moment reflektimi.

Në një tjetër gjest historik, Mbreti Charles do të emërohet “Vëllai Mbretëror” i Kishës së Shën Palit Jashtë Mureve. Vatikani tha se Papa kishte vendosur t’i jepte titullin nderi “në njohje të vëllazërisë shpirtërore” monarkut. Një vend i veçantë, i dekoruar me stemën mbretërore, është krijuar për këtë rast, të cilin Charles do ta përdorë gjatë ceremonisë. Pas shërbesës, vendi do të mbetet në shenjtëroren e Bazilikës, i rezervuar për përdorim në të ardhmen nga ai dhe pasardhësit e tij.

Bazilika e Shën Palit Jashtë Mureve ka një rëndësi të veçantë historike për Kurorën Britanike, pasi deri në Reformim mbante lidhje të ngushta me mbretërit anglezë. Sot është një vend i dedikuar pajtimit dhe ekumenizmit, duke promovuar bashkëpunimin midis besimeve të krishtera.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta