“Më mirë të jem i vdekur sesa të shoh tim bir kështu”/ Sëmundja e rrallë ka prekur 12-vjeçarin, familja dhe shokët e klasës bëjnë apel për ndihmë në “Për Shqiptarët”

17/10/2025 22:58

Historia e dytë sot në emisionin “Për Shqiptarët” është e një djali i cili po përballet me një betejë të jashtëzakonshme.

Rasti i Sadikut është shumë i rrallë, ai është diagnostikuar me sindromën Stevens Johnson e cila mund të ketë pasoja fatale.

Gjendja e tij është shumë e rëndë, por koha nuk premton, prandaj në emision u bë thirrja që të gjithë shqiptarët të bëhen bashkë për ta ndihmuar.

Një sindromë e rrallë që prek 1 në 1milionë persona i ra të birit. Sëmundja çoi në spital Sadikun, ndërsa babai e tij lutet për shërim.

Kam 6 ditë që po përjetoj një jetë tmerri. Po më del zemra nga gjoksi. Kanë qenë ditë vdekjeje për mua. Më mirë vdekur sesa gjallë. Me gjendjen që e shoh djalin, një tmerr. Simptomat i ka, sikur i është djegur trupi, sikur është futur mes flakëve. Lëkura po i rripet, po i bie përtokë. Buza i është çarë, i del komplet gjak… o Zot, unë nuk po duroj dot më. Po vuajmë shumë. Po e shohim djalin ashtu… na dhemb shpirti. Me lot i kam larë shkallët, hyrjet, spitalin gjithë. Është një tmerr për mua. Rri gjithë natën këtu në spital. Shtrihem në makinë, por gjumi nuk më merr. Nuk më shkojnë këmbët të shkoj ta shoh djalin (qan)…. ufff, po plas, plasa o Zot!”-thotë Dritani.

Prej mëse 1 jave, nëna e tij, Suela endet nëpër korridoret e spitalit.

“Para 1 jave e solla djalin, sepse për shkak të një medikamenti atij filluan t’i dilnin shumë puçrra në fytyrë. Mjekët e shtruan urgjent në spital. Tani ndodhet në reanimacion. Gjendja e tij si mos më keq, as flet, as ha, as pi… një tmerr e dhimbje e madhe.  Ai është një yll, një biond i bukur, tani nuk njihet më… është shpërfytyruar krejt. As sytë nuk i njihen më, i kullojnë gjak. Trupin e ka plagë fare, gjak gjak gjak… Më është bërë zemra plagë, nuk e di sesi po e përballoj që rri gjithë ditën me të këtu. Gjithë natën rrotullohem nëpër korridore. 10 ditë që nuk shkoj fare në shtëpi, sepse ai është gëzimi im, drita zemrës sime. Gjendja e tij është shumë shumë e rëndë. Nuk jemi as në tokë e as në qiell. Me shpresën se djali do të bëhet më mirë, por ai po bëhet më keq. Më tha, nëse nuk shkoj në spital jashtë shtetit, unë prej këtu dal i vdekur, inshaAllah mos e dhëntë Zoti”. 

Sapo përmendet emri i Sadikut, shokut të tyre të klasës u mbushen sytë me lot.

 “Unë e kam njohur Sadikun që në klasë të parë. E kam shumë të ngushtë. Ne luanim përherë bashkë, me lojëra. Ne bashkë donim të punonim me kompjuterë.”-thotë një prej shokëve të klasës.

Me Sadikun kemi kaluar gjëra të bukura. Çdo herë që ai vinte, ne luanim, kënaqeshim.”-thotë një tjetër.

“Mua pa Sadikun, më duket klasa bosh. Ne tani jemi të gjithë të mërzitur, me kokat ulur. Vetëm qajmë.”-thotë një tjetër shok i klasës për 12 vjeçarin.

Edhe fëmijët në lagjen e Sadikut, prekur nga sindroma Stephens Johnson, janë bërë bashkë për t’i ardhur sadopak në ndihmë 12 vjeçarit që rrezikon jetën. Ata kanë riprodhuar një foto të Sadikut me një mesazh për ta ndihmuar atë dhe e kanë ngjitur nëpër mure.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta