
Flota e pastrimit të qytetit të Tiranës është shtuar me 9 mjete të reja të tonazhit të rëndë në kuadër të përmirësimit të shërbimeve të pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane.
Gjatë inspektimit të flotës së re, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Ilir Mëngra, vlerësoi punën e kompanisë “Eco Tirana” dhe apeloi për më shumë bashkëpunim nga qytetarët për të mbajtur kryeqytetin të pastër.
“Jemi këtu në kompaninë “Eco-Tirana”, për të parë një flotë të shtuar që kompania ka sjellë për të përmirësuar shërbimin e qytetit, për sa i përket pastrimit. Përfitoj nga rasti për të thënë një kërkesë që ndoshta është përsëritur shumë herë, por mendoj që përsëri vlen. Qytetarët duhet të na ndihmojnë, që ta kryejmë sa më mirë punën tonë. Si bëhet kjo? Fare thjeshtë! Ashtu siç secili prej nesh mban pastër shtëpinë e tij, ashtu duhet edhe të mbajmë ambientin tonë të përbashkët, sepse qyteti është familja jonë e madhe, shtëpia jonë e përbashkët. Ne jemi këtu për të punuar, Bashkia ka punuar, do vijojë të punojë”, deklaroi Ilir Mëngra.
Administratori i kompanisë “Eco Tirana”, Diego Testi, falënderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e investimeve të reja në funksion të qytetit që po rritet me shpejtësi.
“Synojmë të evidentojmë kontributin e ndërmarrjeve publike të Bashkisë, sa i përket përmirësimit të situatës së pastrimit në qytet, në shërbim të qytetarëve. Shpresojmë të ecim përpara dhe të kryejmë investime të reja, sepse qyteti është rritur. Është një kryeqytet me rëndësi dhe ne duhet të përgatitemi për t’i paraprirë të ardhmes që po vjen”, tha Testi.
Shtimi i flotës së re të mjeteve të pastrimit vjen si pjesë e përpjekjeve të Bashkisë së Tiranës për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të garantuar një mjedis më të pastër e më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.
Top Channel