Bienalja e akuarelit, ekspozohen punimet e piktorëve nga rajoni dhe mbarë bota

17/10/2025 13:50

Një urë që bashkon kulturat ku e padukshmja merr formë dhe heshtja tingëllon… edicioni i gjashtë i Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit vjen si një pikë takimi e artit bashkëkohor e dialogut kulturor.

Drita, ujë dhe ngjyra, qindra piktura në akuarel të artistëve nga rajoni dhe gjithë bota që kanë vizituar vendin tonë dhe kanë përjetuar kulturat dhe traditat tona, u ekspozuan nën kurimin e mjeshtrit Helidon Haliti.

“Kjo ka një simbolikë interesante, të gjitha ata fluturojnë, fluturojnë mbi qiej, dhe këto janë imazhe që kur vijnë me avion, kërkojnë imazhe nga Shqipëria dhe është krijuar një urë imagjinare si ajo që na përshkron. Kjo simbolikë si për të treguar se akuarelin e gjetëm në tokë dhe e ngritëm në piedestal në muret e një galerie prestigjioze”, tha piktori Helidon Haliti.

Për piktorin, më shumë se një ekspozitë, ky është një akt i gjallë i komunikimit njerëzor, një urë që lidh brigje, kujtime dhe vizione përmes frymës artistike.

“Këtu kemi atë kalvarin që kalojnë qytetet tona, kemi dhe mbingopjen, është konceptuar si tre qytete, ku një nga qytetet sakrifikohet për të shpëtuar të tjerët”.

Në çeljen e Bienales, u ndanë çmime për piktorët që me penelin e tyre kanë kontribuar ndër vite në artin pamor në Shqipëri, Ardian Isufi dhe Nestor Jonuzi.

Ndërsa çmimet që mbanin emrin e Ismail Lulanit, një ndër piktorët më origjinalë në historinë e artit shqiptar u ndanë nga e bija e tij, Ormira Lulani piktorëve Ikbale Kalaja dhe Abaz Hado.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta