Federata e Futbollit të Indonezisë ka njoftuar sot se ka ndërprerë bashkëpunimin me Patrick Kluivert, i cili nuk do të vazhdojë më si trajner i kombëtares. Legjenda e Barcelonës, Ajaxit dhe Holandës, 49 vjeç, kishte marrë drejtimin e skuadrës në janar me një kontratë dyvjeçare.

Qëllimi kryesor i Kluivert ishte ta dërgonte Indonezinë në Botërorin e parë në histori që nga pavarësia e vendit në vitin 1945. Nën drejtimin e tij, skuadra arriti për herë të parë në raundin e katërt të kualifikueseve aziatike, por humbjet ndaj Arabisë Saudite dhe Irakut javën e kaluar i shuan të gjitha shpresat për pjesëmarrje në turneun me 48 ekipe.

Rezultati fatal erdhi në ndeshjen e fundjavës ndaj Irakut në Jeddah, ku Indonezia u mund 1-0 dhe dy lojtarë u ndëshkuan me karton të kuq pas përfundimit të takimit, në një atmosferë të tensionuar.

Pas këtij dështimi, federata reagoi menjëherë duke njoftuar largimin e Kluivert dhe stafit të tij teknik me marrëveshje të ndërsjellë.

Në deklaratën zyrtare thuhet: “Federata e Futbollit të Indonezisë (PSSI) dhe stafi teknik i kombëtares kanë rënë dakord për ndërprerjen e parakohshme të bashkëpunimit, si pjesë e një procesi të gjerë vlerësimi të programit kombëtar të zhvillimit të futbollit.”

Kluivert kishte zëvendësuar Shin Tae-yong, trajnerin korean që u shkarkua në mënyrë të diskutueshme pavarësisht rezultateve pozitive. Gjatë tetë ndeshjeve të tij në pankinën e Indonezisë, Kluivert regjistroi vetëm tre fitore, katër humbje dhe një barazim — përfshirë humbjen e rëndë 5-1 ndaj Australisë në debutim dhe 6-0 ndaj Japonisë.

Para këtij angazhimi, Kluivert kishte drejtuar Kurasao-n (2015–2016) dhe më pas një periudhë të shkurtër në Adana Demirspor të Turqisë.

Gjatë karrierës si futbollist, ai fitoi dy tituj në Eredivisie dhe një Champions League me Ajaxin, ndërsa më vonë luajti për Milanin, Barcelonën, Newcastle, Valencian, PSV dhe Lille, duke fituar edhe një titull në La Liga dhe një tjetër në Holandë.

Pas tërheqjes nga futbolli aktiv në vitin 2008, suksesin më të madh si trajner e arriti si asistent i Louis van Gaal me përfaqësuesen e Holandës që doli në vendin e tretë në Botërorin 2014.

Tre nga djemtë e tij janë futbollistë profesionistë, me më të njohurin Justin Kluivert (26 vjeç) që ka luajtur për Ajaxin dhe Romën, ndërsa aktualisht është pjesë e Bournemouth në Premier League.

Top Channel