
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, është dënuar me një ndeshje pezullim nga pankina, pas kartonit të kuq që mori në fitoren dramatike ndaj Liverpoolit në Premier League.
Incidenti ndodhi pas golit të Estevao Willian në minutën e 95-të, kur italiani doli nga zona teknike për të festuar me lojtarët e tij, gjë që i kushtoi kartonin e dytë të verdhë nga gjyqtari Anthony Taylor.
Në deklaratën zyrtare, Federata Angleze e Futbollit (FA) bëri të ditur: “U pretendua se trajneri veproi në mënyrë të papërshtatshme dhe/ose përdori fjalë apo sjellje fyese gjatë ndeshjes, çka çoi në përjashtimin e tij në minutën e 96-të.”
Maresca e pranoi akuzën dhe pranoi dënimin standard, që përfshin pezullimin për një ndeshje dhe një gjobë prej 8,000 paundësh.
Kjo do të thotë se italiani nuk do të jetë në pankinë në përballjen e së shtunës kundër Nottingham Forest në “City Ground”. Ekipin pritet ta drejtojë ndihmëstrajneri Willy Caballero, i cili do të zëvendësojë përkohësisht italianin.
Ky është pezullimi i dytë i Marescës si trajner në Premier League. I pari kishte ardhur në prill 2025, kur ai mori kartonin e tretë të verdhë të sezonit për festimin e golit të vonë të Pedro Neto-s ndaj Fulhamit.
Maresca, 45 vjeç, është në sezonin e tij të parë si trajner i Chelseat dhe ka qenë në qendër të vëmendjes si për performancat e ekipit, ashtu edhe për pasionin e madh që shfaq në pankinë.
Top Channel