Takimi i orkestrave të harqeve, në Elbasan mbahet për të 10-in vit eventi me muzikën e dhomës

16/10/2025 16:13

Në teatrin Skampa të Elbasanit është mbajtur për të 10 vit me radhë Takimi Mbarëkombëtar i Orkestrës së harqeve, Muzika e Dhomës dhe Krijimtaria e saj.

Festivali i vetmi i këtij lloji në vend ka bërë bashkë 15 orkestra të  harqeve nga disa qytete të Shqipërisë dhe diaspora. Eventi i cili tashmë është kthyer në traditë vit pas viti merr përmasa edhe më të mëdha ndërsa muzika klasike kërkon gjithashtu një publik të përzgjedhur.

Drejtor i Festivalit të Orkestrave të Harqeve, Blerim Narazani shprehet: “Ky festival ka në përbërje, jo vetëm orkestrat e harqeve, por edhe ansamblet me kuartetet, duo trio oktete, me instrumente të harqeve dhe instrumente të tjera.

Këtë vit, si asnjëherë tjetër kemi 15 trupa me programe me shumë vlera”.

Kliton Kapaj nga Qendra e Artit Elbasan thotë: “Është një dekadë festival. Është një përpjekje e rëndësishme e muzikës klasike në Shqipëri për ti dhënë vëmendjen e duhur të gjithë orkestrave, për ti dhënë vëmendjen e duhur të gjithë instrumentistëve të talentuar të Shqipërisë. Është një takim i rëndësishëm ku takohen orkestra, jo vetëm të Shqipërisë por edhe të rajonit.”

Dirigjenti Blerim Narazani thekson rëndësinë e këtij eventi për shkollat e muzikës dhe universitetin e arteve, pasi interesi duket në rënie dhe rreziku i madh.

“Duhet të evidentoj insistimin tonë sepse instrumentat e harqeve, violina, violinçeli, kontrabasi etj janë në numër më të madh historikisht në shkollat artistike.

Ngremë zërin me forcë, për të 10 vit me radhë, që të ketë një vëmendje të madhe për arsye të rënies së numri të nxënësve çka do të ndikojë negativisht për shkollat artistike”.

Për tre netë me radhë festivali do të mirëpresë më shumë se  rreth 200 artistë ku kusht është vendosur pjesëmarrja me  krijimtari të re shqiptare.

Top Channel