Mbi 1.5 mln euro në muaj, Topi i Artë pritet të sjellë rritje page për Ousmane Dembele

16/10/2025 16:22

Topi i Artë që Ousmane Dembele fitoi në 22 shtator në Paris pritet të shoqërohet edhe me një rritje të ndjeshme të pagës së futbollistit nga Paris Saint Germain.

Sipas asaj që publikon e përditshmja franceze ‘L’Equipe’, burime pranë futbollistët theksojnë se sulmuesit i takon në përmirësim të pagës në bazë të kontratës së nënshkruar në 2023.

Aktualisht Dembele ka një pagë mbi 1 mln euro bruto në muaj shifër kjo që është më e ulët nga ajo që duhet të përfitojë fituesi aktual i Topit të Artë.

Gjithnjë sipas ‘L’Equipe’, përfaqësuesit e Dembele dhe drejtuesit e Paris Saint Germain zhvilluan bisedime  mes tyre pas mbrëmjes gala të 22 shtatorit, por pa arritur në një marrëveshje për rritjen e pagës së futbollistit.

Kampionët e Francës dhe Evropës nuk e çojnë në mendje aspak t’i ofrojnë Dembele një pagë faraonike si Messit dhe Neymar, por në të njëjtën kohë nuk harrojnë që kanë në radhët e tyre  futbollistin më të mirë në botë, gjë që mund t’i detyrojnë ata të ulen në tryezën e bisedimeve me agjentin e sulmuesit Moussa Sissoko për t’i propozuar një rritje të pagës

Ousmane Dembele sezonin e kaluar ishte vendimtar për Paris Saint Germain teksa shënoi 36 gola dhe dha 15 asiste duke ndihmuar klubin parizien të fitojë tripletën e trofeve ku përfshihet edhe Liga e Kampioneve, kompeticion që Paris Saint Germain e fitoi për herë të parë në historinë e tij.

Bisedimet mes palëve pritet të intensifikohen në javët e ardhshme, por është e qartë se klubi parizien duhet të përmirësoje kontratën e Dembele edhe pse paga e tij nuk do të jetë kurrë në nivelin e Messi, Neymar dhe Mbappe.

Por pavarësisht kësaj, paga e tij do të jetë në kufirin maksimal të pagave të skuadrës dhe mund të kalojë 1.5 milionë euro në muaj.

Top Channel