Debate në Këshillin Bashkiak të Tiranës për ndalimin e monopatinave, Ristani: Nuk ka qenë vendim i bashkisë

16/10/2025 15:54

Ndonëse që prej ditës së hënë është ndaluar qarkullimi i monoptinave elektrike në vendin tonë, mjete të tilla shihen ende në qarkullim.

Lëvizja është rralluar për shkak  të kontrolleve dhe sekuestrimeve që policia e shtetit ka bërë në akset rrugore, por në Tiranë  ka ende qytetarë të pabindur që refuzojnë të heqin dorë nga monopatinat.

Me të njëjtin mendim me ta duket se është dhe kryetarja e komanduar e kryeqytetit, Anuela Ristani e cila deklaroi në mbledhjen e këshillit bashkiak që ky nuk është një vendim i bashkisë së Tiranës, duke dalë kështu kundër iniciativës së ministrisë së punëve të brendshme.

Diskutimi u hap nga këshiltarët opozitar, të cilët kërkuan një zgjidhje për qytetarët e Tiranës nga bashkia që më herët i ka promovuar  këto mjete elektrike.

“Nuk ka qenë një vendim i bashkisë Tiranë. Nëse më pyesni mua personalisht, unë personalisht jam për çfarëdo lloj mjeti transporti që nuk përdor karburant, po kjo është komplet një pikëpamja ime personale”, tha Anuela Ristani, kryetarja e komanduar e bashkisë Tiranë.

“Pyetja ime është ne si bashki i japim një alternativë qytetarëve, sepse ata kanë investuar edhe për shkak të promovimit që bashkia u ka bërë monopatinave?, tha Endri Shabani.

“Përgjigja është: Transporti Publik, korsitë e biçikletave dhe trotuaret e zgjeruara”, u përgjigj Ristani.

Po ashtu Ristani i sqaroi këshillit bashkiak që nuk ka pasur një korrespondencë zyrtare mes ministrisë brendshme dhe bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë masë.

“Ju sapo pranuat që nuk keni informacion, a është e përfshire bashkia e Tiranës në këtë vendimmarrje të ministrisë së brendshme?, u shpreh Dorian Teliti.

“Nëse janë përfshirë policia bashkiake apo  persona të tjerë të shqyrtimit, punonjës tanë të parqeve të rekreacionit kjo është në diskrecion të institucioneve të japin informacion. Shkresërisht me institucionin e Bashkisë së Tiranës nuk ka një komunikim zyrtar lidhur me ketë masë”, u shpreh Ristani.

Monopatinat elektrike janë pezulluar përkohësisht nga Ministria e Brendshme pasi u cilësuan si një rrezik për sigurinë publike. Një masë e tillë do të vijojë deri në hartimin e një rregulloreje që do të përcaktojë qartë hapësirat ku do të lejohet përdorimi i monopatinave dhe kriteret për moshën.

Top Channel