“Autokolona e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shkuar në Mitrovicën e Veriut”, reagon policia e Kosovës dhe FSK: Kanë hyrë gabimisht

16/10/2025 13:08

Mediat lokale serbe në Veri të Mitrovicës gjatë ditës së sotme raportuan se një autokolonë e Forcës së Sigurisë së Kosovës kishte shkuar në Mitrovicë të Veriut.

Megjithatë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se FSK gabimisht hyri në Mitrovicë të Veriut.

“Diku para orës 11:00 në afërsi të stacionit Policor në Mitrovica Veri janë parkuar disa automjete të FSK-së. Kur atyre iu është afruar Policia, të njëjtit kanë thënë se e kanë ngatërruar rrugën. Policia i ka përcjell nga ai vend deri te Kërshi i Dudës”, ka thënë Veton Elshani, nga Policia Rajonale e Veriut të Mitrovicës.

Me një zotim të vitit 2013 nga ish-kryeministri Hashim Thaçi dhënë KFOR-it, FSK nuk mund të veprojë në veri të vendit. Një rizotim të tillë e ka bërë edhe Ministri aktual i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në vitin 2024.

“Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, deklaron FSK-ja.

Top Channel