
Donald Trump ka kërcënuar të zhvendosë ndeshjet e Kupës së Botës që do të zhvillohen në zonat periferike të Bostonit vitin e ardhshëm, duke sugjeruar se disa pjesë të qytetit janë “marrë nën kontroll” nga trazirat.
Foxborough, Massachusetts, shtëpia e skuadrës NFL New England Patriots dhe rreth 30 milje larg Bostonit, është planifikuar të mikpresë disa ndeshje si pjesë e bashkë-organizimit të SHBA-së me Meksikën dhe Kanadanë për Botërorin 2026.
Trump komentoi mbi kryetaren e Bostonit, Michelle Wu, duke e quajtur “inteligjente” por “radikale e majtë”. Ai tha: “Ne mund t’i heqim ndeshjet. I dua njerëzit e Bostonit dhe e di që ndeshjet janë të shitura, por kryetarja juaj nuk është e përshtatshme.”
Presidenti sugjeroi se disa pjesë të Bostonit “po merren nën kontroll” pa dhënë detaje të mëtejshme, por shtoi se “mund t’i rikuperojmë brenda dy sekondash.”
Komentet e tij vijnë pas një proteste pro-palestineze që u kthye në dhunë më parë këtë muaj në Boston Common, ku u arrestuan disa persona dhe katër policë u plagosën.
Trump ka sugjeruar më parë se mund të shpallë disa qytete “jo të sigurta” për turneun me 104 ndeshje dhe të ndryshojë planin e mikpritjes së FIFA-s, i konfirmuar që në 2022. Megjithatë, vendet pritëse nuk varen nga Trump. 11 qytetet amerikane, plus tri në Meksikë dhe dy në Kanada, janë të kontraktuara me FIFA-n, e cila do të përballet me sfida ligjore dhe logjistike për të ndryshuar planet vetëm tetë muaj para nisjes më 11 qershor.
Victor Montagliani, zv/president i FIFA-s, deklaroi: “Është turneu i FIFA-s, është juridiksioni i FIFA-s, FIFA merr këto vendime.”
Megjithatë, Trump tha: “Nëse dikush nuk bën punën si duhet dhe ka kushte të pasigurta, do të kontaktoja Gianni-n, kreun e FIFA-s që është fenomenal, dhe do të thoja: ‘Le të zhvendosim ndeshjen në një vend tjetër’ dhe ata do ta bënin lehtë.”
Top Channel