Debate në Konferencën e Kryetarëve, Gjekmarkaj ironizon socialistët: Mbyllni deri në pranverë Parlamentin, pushoni dhe reflektoni

15/10/2025 11:00

Gjatë Konferencës së Kryetarëve, deputeti Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj foli me tone të ashpra në lidhje me retorikën e përdorur në Kuvend nga deputetët e Partisë Socialiste.

Gjekmarkaj ironizoi mënyrën si po menaxhohet puna parlamentare, duke thënë “Kuvendi të mbyllet deri në pranverë për reflektim”.

Më tej ai iu drejtua kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke i thënë që të kërkojë falje për një ‘fyerje të bërë larg mikrofonit në Kuvend’.

Unë mendoj që secili është përgjegjës për veten, për retorikën që ndërton!

Ju na thoni: fol si duhet, fol ashtu, fol kështu, fol gjatë, fol shkurt, mos bëj moral, mos bëj zhurmë… Po më duket normale që nga pala tjetër të na mësojnë se si të sillen deputetët? Kjo është çështje e secilit. Sileni nga arroganca si edukator!

Më bëri përshtypje në sallë një fyerje që zoti Balla bëri jashtë mikrofonit, dhe zonjat e PS-së, të cilat shtrembëruan fytyrën për fjalët e Bardhit, nuk e dëgjuan aromën akustike të metaforës së Taulant Ballës! Të gabosh është njerëzore, të persistosh në gabim është djallëzore! Gjithë kohës jeni me dy standarde dhe zoti Balla duhet të kërkojë falje. Nuk e kuptoj këtë çmenduri të këtyre: njoftime e procesverbale e ikni me vrap!

Meqë jeni lodhur, sugjeroj ta mbyllni deri në pranverë këtë Parlament: pushoni, refletoni, kalon dimri, vjen pranvera, shohim e bëjmë!

Më vjen keq për ju, Kryetar, se po ju zhbëjnë, po ju nxjerrin në prita, ju komandojnë nga poshtë e nga lart!

Thonë që për 6 muaj ta zënë vendin! Nuk po bëj diversion, po konstatoj derexhenë institucionale”, u shpreh demokrati.

Top Channel