Skandali në Premier League/ Shpërndau video seksuale të një djali 15-vjeçar, ish-gjyqtari anglez pranon fajësinë në gjykatë

14/10/2025 17:42

Ish-gjyqtari i Premier League, David Coote, ka pranuar fajësinë për realizimin e një videoje seksuale të një djali 15-vjeçar.

43-vjeçari u akuzua më 12 gusht pas një hetimi të zhvilluar nga Policia e Nottinghamshire, ndërsa sot u paraqit përpara Gjykatës së Kurorës në Nottingham, ku pranoi akuzën për krijimin e një videoje të kategorisë A — niveli më i rëndë sipas ligjit britanik — në janar të vitit 2020.

Hetimet nisën pasi Coote u pushua nga organi zyrtar i arbitrave, PGMOL, në dhjetor, pas një shpërthimi online kundër trajnerit Jurgen Klopp. Gjatë kontrollit të kryer nga Federata Angleze e Futbollit (FA), u zbuluan “biseda shqetësuese” në dy telefona të tij, ndërsa videoja u gjet në një laptop Dell, i aksesuar për herë të fundit më 2 janar 2020.

Gjyqtarja i tha Coote se rasti është “shumë serioz”, dhe urdhëroi një raport paraprak për dënimin, përpara se të vendoset nëse ai do të përballet me burgim. Ai u lirua me kusht deri në seancën e radhës më 11 dhjetor.

Sipas ligjit britanik, “krijimi i një imazhi të pahijshëm të një fëmije” përfshin shkarkimin, ndarjen ose ruajtjen e materialeve me përmbajtje abuzive ndaj të miturve. Kategoria A mbart dënim maksimal deri në tre vjet burg.

Coote debutoi si gjyqtar në Premier League në prill 2018, duke arbitruar mbi 100 ndeshje dhe ishte pjesë e stafit zyrtar në Euro 2024 në Gjermani.

Karriera e tij mori fund pasi në nëntor 2024 doli një video e rrjedhur, ku ai ofendonte trajnerin e atëhershëm të Liverpool-it, Jurgen Klopp, dhe përdorte shprehje fyese ndaj klubit. Në një tjetër video, Coote shihej duke thithur një substancë të bardhë, gjë që çoi në pezullimin e tij nga UEFA deri më 30 qershor 2026.

Pas shkarkimit, ai u pa duke shpërndarë paketa për kompaninë Evri. Në janar 2025, Coote deklaroi publikisht se ishte homoseksual, duke shtuar se presioni për të fshehur seksualitetin kishte ndikuar në sjelljet dhe shpërthimet e tij.

Top Channel