
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Verona të Italisë, ku tre karabinierë humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një banesë.
Ngjarja ndodhi kur autoritetet italiane ndërhynë për të ekzekutuar një urdhër përmbarimi ndaj tre vëllezërve, të cilët prej muajsh refuzonin të dorëzonin banesën. Ata janë emra të njohur për policinë, pasi edhe më parë, në tetor dhe më 24 nëntor 2024, kishin kundërshtuar me forcë përmbaruesit.
Gjatë tentativës për të hyrë me forcë në banesë, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, në momentin kur u hap dera e përparme. Shtëpia ishte e mbushur me gaz, që dyshohet të jetë lëshuar qëllimisht nga disa bombola të vendosura nëpër dhoma. Shpërthimi shkatërroi ndërtesën dhe vrau në vend tre karabinierë, duke plagosur rëndë edhe të tjerë.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, në banesë u gjetën pesë bombola gazi dhe mbetje koktejsh Molotov, duke forcuar dyshimet se shpërthimi ishte i qëllimshëm.
Tre vëllezërit u arrestuan nga autoritetet menjëherë pas shpërthimit dhe akuzohen si përgjegjës për këtë akt të rëndë, që u mori jetën disa pjesëtarëve të forcave të rendit. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe po hetohet në detaje nga autoritetet.
Top Channel