
Vetëm një ditë pas disfatës me Kosovën dhe shkarkimit të trajnerit Jon Dahl Tomasson, kombëtarja e Suedisë mund të ketë gjetur një kandidat të bujshëm për stolin: Graham Potter.
Tekniku anglez, që më parë ka drejtuar Brighton, Chelsea dhe së fundmi West Ham United, ka deklaruar publikisht se është i interesuar të marrë drejtimin e Suedisë, duke e cilësuar këtë si një “mundësi fantastike”.
“Jam aktualisht në Suedi, në shtëpinë time. Jam pa punë pas largimit nga Premier League dhe jam i hapur për çdo mundësi ku mund të ndihmoj. Të drejtoj kombëtaren suedeze do të ishte fantastike,” – tha Potter për median suedeze Fotbollskanalen.
Suedisë i është dashur të ndërmarrë këtë ndryshim pas humbjes zhgënjyese 1-0 ndaj Kosovës të hënën, që e la skuadrën në vendin e fundit të Grupit B, me vetëm një pikë në katër ndeshje të kualifikueseve për Botërorin 2026.
Sipas mediave lokale, atmosfera në dhomën e zhveshjes pas humbjes ka qenë e tensionuar, me raportime se Anthony Elanga i Newcastle United, i lënë jashtë nga Tomasson, ka shpërthyer duke thënë: “Sistemi i mallkuar duhet të ndryshojë.”
Në deklaratën zyrtare të Federatës Suedeze të Futbollit (SvFF), kryetari Simon Astrom theksoi: “Vendimi për të shkarkuar Tomasson u mor pasi ekipi nuk arriti rezultatet që shpresonim. Ende ka mundësi për një vend në play-off dhe ne duhet të sigurojmë kushtet më të mira për ta arritur këtë. Në këtë kontekst, kemi vlerësuar se është i nevojshëm një drejtim i ri.”
Ndërkohë, Potter – i cili ka një lidhje të veçantë me futbollin suedez, pasi drejtoi ekipin Östersunds FK nga viti 2011 deri më 2018 – theksoi se nuk do ta refuzonte ofertën për arsye financiare: “Kam qenë me fat në karrierë dhe jam në një pozicion të mirë financiar. Pra, paratë nuk janë arsyeja që do të më ndalnin nga një punë e tillë.”
Potter, 50 vjeç, u largua nga West Ham më 27 shtator pas një fillimi të dobët në sezon, me katër humbje në pesë ndeshjet e para të Premier League.
Megjithatë, eksperienca e tij e mëparshme dhe lidhja e fortë me Suedinë mund ta bëjnë një kandidat serioz për të ringjallur shpresat e kombëtares nordike, që aktualisht ka shënuar vetëm dy gola në katër ndeshje dhe ka pësuar shtatë.
Top Channel