“Kisha një emergjencë familjare dhe më duhej të ikja”, Dumani tregon momentet kur SPAK u rrethua nga protestuesit pro Veliajt: Ishte shfaqje e shëmtuar

14/10/2025 22:27

Në raportimin e gjatë në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani ka treguar për herë të parë edhe momentet kur teksa ka qenë në punë, institucioni është rrethuar nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës që kërkonin lirimin e Erion Veliajt.

Ishte një prej seancave në GJKKO, kur po vlerësohej masa ndaj ish-kryebashkiakut, kur godina u rrethua nga dhjetëra protestues pro Veliajt, të cilët bllokuan derën e godinës, çka ua bëri të vështirë prokurorëve dhe gjyqtarëve të largoheshin pas përfundimit të seancës.

Kapri: Pas arrestimit të Veliajt, institucioni juaj u rrethua nga punonjës publik, institucionit iu hoqën edhe dritat dhe të nesërmen kryeministri deklaroi “mos bëni gabim të merrni telefonin tim”. A është kërcënim ndaj jush?

Dumani: Rrethimi i Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme ishte një shfaqje e shëmtuar. E përjetuar nga prokurorët e posaçëm, administrata dhe gjyqtarët e gjykatës së posaçme. Një ngjarje që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Ne në mënyrë institucionale sinjalizuam institucionet përgjegjëse, të cilat nuk kishin marrë masa për mbrojtjen dhe ruajtjen e rendit në Prokurorinë e Posaçme. Unë mund të sjell përvojën time, pas mbarimit të gjykimit unë duhet të ikja në shtëpi dhe ishte ora 9.30-10 e darkës. Me vështirësi kemi kaluar përmes turmës së njerëzve. Kisha një emergjencë familjare dhe prandaj doja të ikja se ndryshe do prisja edhe 1 apo dy orë. Ishte një moment shumë i vështirë, jo për mua, por për trupën që më shoqëronte. Me shumë profesionalizëm ata evituan çdo incident.

Top Channel