“Doja të ndihmoja familjen time të varfër”/ 22-vjeçari shqiptar në Itali kapet me kokainë, vlera marramendëse 16 milionë euro

14/10/2025 18:09

Karabinierët italianë kanë sekuestruar një sasi rekord prej 200 kilogramësh kokainë në një apartament në zonën e Tor Vergatës, në Romë, gjatë një operacioni antidrogë që çoi në arrestimin e Kristianit, një 22-vjeçar me origjinë shqiptare.

Lënda narkotike kishte një vlerë prej rreth 16 milionë eurosh dhe ishte e ndarë në 191 pako, të fshehura në vende të ndryshme të banesës.

Gjatë bastisjes, karabinierët gjetën gjithashtu 30,000 euro para të gatshme, si dhe një armë zjarri , e cila rezultoi e vjedhur. Sipas autoriteteve, banesa e të riut shërbente si një qendër shpërndarjeje droge, e pajisur me elementë logjistikë të sofistikuar për ruajtjen dhe shpërndarjen e narkotikëve.

Kristiani u arrestua jashtë apartamentit të tij, pasi sjellja e tij ngjalli dyshime te patrulla e karabinierëve. Gjatë kontrollit, ai kishte një shumë të konsiderueshme parash me vete, ndonëse ishte i regjistruar si i papunë. Kjo çoi më pas në kontrollet e mëtejshme në banesën e tij.

Hetuesit zbuluan gjithashtu se i riu kishte modifikuar makinën e tij, duke e pajisur me një vend të fshehtë, që hapej përmes një tastiere me kod dhe aktivizimit përmes çelësit të ndezjes një mekanizëm i përdorur për të shmangur kontrollet gjatë transportimit të drogës.

Në seancën e parë, Kristiani pranoi fajësinë pjesërisht, duke pretenduar se ishte përfshirë në këtë aktivitet për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të familjes së tij.

“U përfshiva në një situatë të gabuar sepse familja ime është shumë e varfër, jeton në kushte të dëshpëruara dhe të vështira”, tha ai para gjykatës, sipas raportimit të La Repubblica.

Gjithashtu ai  shtoi se po kthehej në Shqipëri në momentin e ndalimit dhe se është hera e parë që përfshihet në një aktivitet të tillë kriminal. Lidhur me armën, ai deklaroi:

“Nuk është e imja. Nuk e kam blerë dhe as përdorur ndonjëherë.”

Kristiani nuk pranoi të zbulojë asnjë informacion për rrjetin kriminal apo personat që qëndrojnë pas kësaj sasie të madhe narkotikësh. Gjyqtari vendosi masën e arrestit me burg, ndërsa avokatja e tij, Dalila Milano, ka paralajmëruar një ankim në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar një masë më të butë sigurie.

Top Channel