“E kemi kthyer hierarkinë me kokë poshtë”, kryeprokurori Çela me tone kritike te ‘Ligjet’: Prokurorët s’kuptojnë rolin e tyre, Gjykata hedh ‘benzinë’…

14/10/2025 15:10

Me tone kritike ka folur sot në Komisionin e Ligjeve Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, në lidhje me draftin për Ndryshimet në Kodin Penal, duke u shprehur kundër, pasi sipas tij nuk është kjo nevoja urgjente, dhe se kodi aktual nuk ka problematika të mëdha, por se kërkon vetëm një risistemim.

Ai tha se problemi më i madh është kodi i procedurës penale dhe mënyra e zbatimit të tij.

“Mënyra e organizmit sot në Prokurori, decentralizimi ka krijuar keqkuptim në nivelin organizativ, dhe këto nuk i zgjidh dot ILD. Sot sistemi ka shumë nevoja, për rritjen e cilësisë së ligjeve që operojnë institucionet.

Ka raste kur prokurorët e shkallës së parë ankohen për vendimet e Apelit, kemi arrit në një ditë kur prokurorët vënë në diskutim vendimin e Apelit.

I drejtohen madje dhe ambasada me shkresa. Kjo është e pranueshme, kjo vjen se kemi krijuar një sistem ku prokurorët, sidomos të rinjtë nuk kuptojnë rolin dhe vendin e prokurorit”, tha Çela.

Më tej ai shtoi: Dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit, kemi praktikën gjyqësore…. ju keni thirrur sot prokurorin e Përgjithshëm për të raportuar për atë që bëjnë prokuroritë, ndërkohë gjykata e lartë thotë prokurori i shkallë së parë mund të ushtrojë rekurs në GJK kur prokuroi i apelit ka hequr dorë nga apeli… ju zotëri më thoni sot sa çështje keni përfaqësuar në Gjykatën e Lartë? 38 çështje në Gjykatën e Lartë, numri më i lartë në 2023.

Është vendim i një trupe, jo unifikues, por kemi dy probleme, një gjykatë që i hyn organizimit kushtetues të institucionit, asgjëson rolin e Prokurorisë së Apelit dhe prokurori i përgjithshëm, e kemi kthyer hierarkinë me kokë poshtë. Prokurori s’mund të mbajë qëndrim mbi atë që ka vendosur prokuroria e shkallës së parë. Duhet të shkojë unë atje dhe të lexojnë çfarë ka thënë ai i shkallës së parë? Pse duhet të shkojë? S’kemi nevojë fare për prokuror! Këto janë probleme të keqkuptimit dhe organizmit, mund të jenë dhe kushtetuese. Sot kemi problem me kodin e procedurës penale, janë deri diku pjesë e problemit sa i përket ngarkesës dhe zvarritjes në proceset hetimore dhe gjyqësore. Janë çështje urgjente, nuk ka qenë kodi penal urgjencë asnjëherë.

 

Top Channel