Tmerret e përjetuara nga 20 pengjet e fundit të Izraelit: Të lidhur me zinxhirë, të torturuar dhe të uritur. Pengjet tregojnë se si se çfarë u bënte Hamasi

14/10/2025 13:30

Pas më shumë se dy vjetësh robërie, 20 pengjet e fundit që Hamasi mbante në tunelet e Gazës u liruan dje, duke shënuar një kthesë historike në konfliktin dhe një moment të rrallë shprese për paqen në Lindjen e Mesme.

Lirimi u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes së re të armëpushimit, e cila u garantua nga Shtetet e Bashkuara. Rrëfimet e para të pengjeve kanë zbuluar përmasat e tmerrit që kanë përjetuar gjatë 24 muajve të fundit.

Të mbajtur në errësirë totale, të izoluar nga bota dhe shpesh pa ushqim për ditë të tëra, shumë prej tyre treguan se ishin afruar në kufijtë e mbijetesës. Disa thanë se rojet e Hamasit hanin para syve të tyre, ndërsa ata vetë ishin të uritur deri në ekstrem.

Njëri prej tyre, Avinatan Or, 32 vjeç, i rrëmbyer nga Festivali i Nova-s bashkë me të dashurën e tij Noa Argamani, u mbajt në izolim pothuajse total për dy vjet. Ai humbi gati 40 për qind të peshës trupore dhe nuk kishte asnjë informacion për botën jashtë.

Binjakët Gali dhe Ziv Berman, 28 vjeç, që gjithashtu u rrëmbyen gjatë masakrës së 7 tetorit, u mbajtën të ndarë për gjithë kohën e robërisë. Ata nuk e dinin nëse tjetri ishte gjallë, derisa u përqafuan për herë të parë ku t ë dy ishin në gjendje të dobët fizike, por me moral të lartë, sipas familjarëve.

Një tjetër peng, ushtari 22-vjeçar Matan Angrest, përjetoi tortura të rënda gjatë muajve të parë. Nëna e tij, Anat, tregoi për mediat lokale se i biri ishte rrahur aq keq sa kishte humbur ndjenjat dhe ishte tërhequr zvarrë me thasë të zinj në kokë.

“Ata e mashtronin, i thoshin se Izraeli e kishte harruar, se Hamasi do të fitonte. Ishte një luftë e rëndë psikologjike”, rrëfeu ajo.

Guy Gilboa-Dalal, një tjetër i mbijetuar nga Festivali i Nova-s, tha se ishte ushqyer me forcë pasi rrëmbyesit e tij kishin frikë nga reagimet ndërkombëtare pas publikimit të një videoje ku një tjetër peng, Evyatar David, shihej në gjendje të rëndë duke hapur varrin e vet. Sipas prindërve të Davidit, ai dhe të tjerët u përdorën si mburoja njerëzore nga Hamasi për t’i shpëtuar bombardimeve izraelite.

Disa pengje, si Omri Miran, u zhvendosën dhjetëra herë gjatë robërisë. Ai u detyrua të gatuante për rrëmbyesit e tij, ndërsa përpiqej të ruante shpresën dhe të numëronte ditët.

“Ai e dinte saktësisht sa ditë kishte kaluar në robëri”, tregoi vëllai i tij, Nadav.

Ndërsa rrëfimet e tyre trondisin opinionin publik, lirimi i pengjeve u bë pjesë e një marrëveshjeje të gjerë paqeje që synon t’i japë fund luftës në Gaza. Si pjesë e saj, Izraeli liroi 1,968 të burgosur palestinezë nga burgjet e tij, ndërsa Hamasi dorëzoi 20 pengjet e fundit që mbante.

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili mori pjesë personalisht në nënshkrimin e deklaratës së paqes në Sharm el-Sheikh, e cilësoi ditën si të jashtëzakonshme për botën dhe për Lindjen e Mesme.

“Pas shumë vitesh dhimbjeje, më në fund kemi paqe”, tha ai, ndërsa lavdëroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për vendosmërinë e tij.

Dokumenti i nënshkruar nga udhëheqësit e Egjiptit, Katarit dhe Turqisë përfshin angazhimin për rindërtimin e Gazës dhe garancinë e ndalimit të luftimeve, megjithëse nuk përmend drejtpërdrejt një zgjidhje me një apo dy shtete. Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi deklaroi se marrëveshja mbyll një kapitull të dhimbshëm në historinë njerëzore dhe krijon terrenin për një zgjidhje të qëndrueshme politike.

Lirimi i pengjeve shënon fundin e një periudhe të errët për dhjetëra familje izraelite dhe një fillim të ri për përpjekjet diplomatike në rajon. Megjithatë, plagët fizike e psikologjike që mbartin të mbijetuarit dëshmojnë për një dhunë të papërshkrueshme që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të dy anët e konfliktit.

Top Channel