
Japonia ka arritur një fitore historike ndaj Brazilit, duke e mposhtur për herë të parë në histori me rezultatin 3-2, në një ndeshje miqësore të zhvilluar të martën në stadiumin “Ajinomoto”.
Ndonëse u gjend në disavantazh prej dy golash, Japonia reagoi në mënyrë spektakolare në pjesën e dytë. Ayase Ueda shënoi golin vendimtar në minutën e 71-të me një goditje me kokë, duke ndezur festën në një stadium të mbushur plot.
Pjesa e parë foli për Brazilin, që pas ndryshimeve të bëra nga trajneri Carlo Ancelotti, dukej se po e kontrollonte plotësisht ndeshjen. Paulo Henrique dhe Gabriel Martinelli shënuan për “Seleçaon”, që në pushim udhëhiqte 2-0 dhe dukej e sigurt drejt një tjetër suksesi kundër Japonisë.
Por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Takumi Minamino përfitoi nga një gabim i Fabricio Bruno dhe shkurtoi diferencën, ndërsa Keito Nakamura barazoi rezultatin pas një devijimi po nga Bruno.
Në fund, goli i Uedës vulosi një fitore që do të hyjë në historinë e futbollit japonez, e para në 14 përballje kundër Brazilit.
Ndërkohë, në miqësoren tjetër të luajtur në Seul, Koreja e Jugut arriti të mposhte 2-0 Paraguain.
REZULTATET:
JAPONI 3-2 BRAZIL
Minamino 52’, Nakamura 62’, Ueda 71’ / Paulo Henrique 26’, Martinelli 32’
KORE E JUGUT 2-0 PARAGUAI
Eom 45’, Oh Hyeon-Gyu 75’
Top Channel