
Gjatë raportimit të ministrit të Drejtësisë në Komisionin e Ligjeve, deputetët u përfshinë në debat kur Elda Hoti e PD-së pyeti ministrin nëse ishte produkt i Soros.
Besfort Lamallari, në përballjen e parë me deputetët në Kuvend, tha se ai vetë nuk kishte marrë fonde nga ekselenca, megjithëse kishte qenë student ekselent dhe mënyra e vetme për të ndjekur studimet ka qenë përmes fondeve të partnerëve.
Debati:
Hoti: Është publikuar se fondacioni Soros ka marrë 9 milionë USD për reformën në Shqipëri. A keni punuar me fondacionin Soros dhe a konsideroni veten produkt të tij?
Manja: Kjo është pyetje për interpelancë në seancë plenare, megjithatë deputetët mund të shfrytëzojnë ccdo lloj mediumi për t’i bërë këto pyetje. Është në diskrecionin tuaj në lidhje me përgjigjet.
Lamallari: Jam shumë krenar për përvojën profesionale që më ka shoqërur deri tani. Jam bashkëautor i studimit të parë për krimin e organizuar në vend dhe janë momente të tilla që mundësojnë avancimin në karrierë për të kontribuar falë edhe mbështetjes së këtyre organizmave ndërkombëtare të cilët kanë dhënë mbështetje. Kur shteti shqiptar shpërndante bursat e ekselencës te fëmijët e politikanëve, kemi raste konkrete edhe në këtë sallë, dhe ata që mundoheshin shumë por vinin nga familje normale shqiptare, nuk kishin mundësi, sado që ishin ekselentë, e vetmja mundësi ishte përmes fondeve dhe granteve të partnerëve të tjerë. Kjo ideja e bërjes së biografisë sikur tjetri do kompleksohet, kjo nuk ndodh me mua. Unë nuk ia bëj askujt biografinë familjare.
Hoti: Nuk mund ta vazhdosh fjalën pa fund. Unë pyeta a ke studiuar, nuk të bëra biografinë familjare.
Lamallari: Është e njohur publikisht se kush ka studiuar me fondet e ekselencës në atë kohë në Britaninë e Bashkuar dhe nuk kam qenë unë.
Top Channel