
Në Durrës, një nga qytetet më të mëdha dhe turistike të vendit, parkimi është kthyer në ankthin e përditshëm të çdo shoferi e familjeje durrsake.
Rrugët janë të mbingarkuara, hapësirat publike të zëna dhe gjobat shtohen çdo ditë. Nga stadiumi “Niko Dovana”, ku u zaptua edhe i vetmi vend-parkim publik që kishte mbetur, deri në lagjet e vjetra pranë qendrës e në bregdet, gjetja e një vendi për të lënë makinën është bërë sfidë.
Taksisti: Situata e parkimeve në Durrës është si në kohën e diktaturës. Nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk kanë investuar asgjë në infrastrukturë. Gjendja është katastrofë.
“Rrimë një orë për të vënë makinën këtu.”
“Vejnë shumë gjoba. Të na bëjnë vendparkime.”
Në shumë lagje gjen makina të parkuara mbi trotuare, mjete të vjetra që nuk lëvizin prej muajsh apo makina me qira që zënë hapësira pranë pallateve.
Për të siguruar një vend, banorët vendosin trarë, blloqe betoni apo tabela invaliditeti, shpesh të rreme. Askush nuk ndërhyn, ndërsa ata që parkojnë përkohësisht pranë banesës gjobiten pa iu ofruar asnjë alternativë.
“Bashkia, policia bashkiake nuk duhet të flejë gjumë. Durrësi është vend turistik me turistë plot. Problem shumë është.”
“Bashkia e ka këtë. Te gjykata i kanë zënë ata të gjykatës dhe prokurorisë. Ne populli le të vuajmë.”
Bashkia e Durrësit, institucioni që duhet të japë zgjidhje, hesht. Policia bashkiake dhe ajo rrugore vazhdojnë të ndëshkojnë drejtuesit e mjeteve, pa ofruar zgjidhje praktike për mungesën e hapësirave të parkimit.
Taksisti: Nuk ka parkim as me pagesë, as falas.
“S’ka asnjë vend, e kanë mbushur vetëm me hekura. Edhe bulevardit, hoqën tendat e lanë karriget. Ku duhet t’i lëmë makinat? Dhe marrim gjoba.”
Në mungesë të zbatimit të një strategjie për menaxhimin e trafikut e parkimeve, Durrësi po përballet çdo ditë me kaos, stres dhe padrejtësi. Qytetarët paguajnë një kosto të shumëfishtë, në një qytet ku rrugët janë kthyer në terren konfliktesh dhe ku heshtja e pushtetit vendor po rëndon gjithnjë e më shumë mbi ta.
Top Channel