Fitorja me Serbinë ka ngritur entuziazmin në kampin e Kombëtares shqiptare, me kuqezinjtë që tashmë janë një hap larg “Play Off”-it.

Gjithsesi, trajneri Sylvinho u shpreh se ekipi duhet të fokusohet te dy takimet e nëntorit me Andorrën dhe Anglinë, teksa u ndal dhe te miqësorja me Jordaninë mbrëmjen e nesërme, që për trajnerin është një takim ku duhet të provohen lojtarët me më pak minuta në këmbë.

“Nuk besoj në miqësore, sepse ti futesh në çdo ndeshje për të fituar. Është pak më e vështirë për t’i vlerësuar lojtarët se si janë prezantuar në ndeshje. Në mëngjes besoj se do të kemi 11-shen. Do të shohim si kombinohen me njëri-tjetrin. Kemi lojtarë që kanë 6 muaj me ne, por kanë bërë vetëm një ndeshje. Do të ketë hapësirë për të gjithë. Cake dhe Gripshi më kanë pëlqyer në stërvitje, por do të shohim për 11-shen që do të hedhim në fushë.

Jam pak i lodhur, duke qenë se rikthimi ishte i vonë. Nuk ishte një ndeshje normale. Llogaritë që duhet të bëjmë, janë ndeshjet që na presin. Jam i lumtur se si është përfaqësuar ekipi dhe është hera e parë që kombëtarja, në dy ndeshjet e fundit, luan çdo gjë për kualifikim që të shkojë në ‘play-off’ të Botërorit.

Sa shqiptar ndihem tani? Pas Europianit 7. Pas ndeshjes me Serbinë ndihem 8.5 ose 9. Aty u luajt futboll në fushë, por e kuptoj dhe rëndësinë e ndeshjes. Dua të jap një mesazh për lojtarët e mi: gjithsecili mund të jetë në fushë ose në pankinë. Unë nuk besoj në miqësore. Mendoj për hapin tjetër që vjen në nëntor. Të japim 100% në ato dy ndeshje. Tifozët ta mbështesin kombëtaren. Lufton me gjak, me zemër – mund të ndodhë që të humbasësh një ndeshje, por gjaku nuk i ka munguar këtij ekipi. Ne kërkojmë suportin e tifozëve.

Komplimente dhe urime. Kisha një bisedë me Mançinin. Pas ndeshjes me Serbinë më shkruajti dhe më tha bravo.

E njoh veten time dhe fokusin e kam te ndeshjet e nëntorit. Kemi një ndeshje nesër nga e cila mund të mësojmë shumë. Nuk besoj në miqësore, siç e thashë. Mendja është te ndeshjet e nëntorit.

Kam luajtur si futbollist 15 vite, ndërkohë si trajner 5-6 vite. Jemi mësuar me ulje-ngritje. Një shembull: Rey Manaj. Është momentalisht golashënuesi më i mirë në kombëtare. Kur nuk shënonte, kritikohej. Tani që ka shënuar, automatikisht funksionon. E kam thënë më përpara: për të ardhmen time mendoj vetëm unë. Kemi bërë një hap shumë të mirë ndaj Letonisë dhe Serbisë, na presin dy ndeshje të rëndësishme në nëntor”, tha Sylvinho.

Top Channel