foto ilustruese

I morën me dhunë një 27-vjeçari, në rrugë, një shumë parash dhe 3 celularë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetasi i kishin vjedhur me dhunë, një shumë parash, organizuan punën për zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Road”, u lokalizuan në një banesë të braktisur, u kapën dhe u vunë në pranga 2 autorët e dyshuar të rastit, shtetasit F. S., 26 vjeç, dhe G. Sh., 30 vjeç, banues në Vorë.

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. P., 24 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet dyshohet se shtetasit F. S. dhe G. Sh., në rrugën e fshatit Marikaj, në mbrëmje, i kanë marrë me dhunë, një shtetasi, 5300 euro dhe 3 celularë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. S., në Vorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 karikatorë arme zjarri automatik model 56, një palë pranga, një mjet prerës (thikë) dhe 3 celularët e vjedhur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel