Gara për në Kushtetuese/ Gjykata administrative deklaron “jashtë juridiksioni” padinë e Naureda Llagamit

13/10/2025 11:06

Gjykata administrative deklaroi jashtë juridiksionit padinë e Naureda Llagamit e cila kërkoi që gjykata të pezullojë zbatimin e mbledhjes së gjyqtarëve të lartë, nga e cila në 30 nëntor doli fitues dhe u zgjodh për në gjykatën kushtetuese gjyqtari I Lartë Asim Vokshi.

Gjyqtarja Semiramis Hoxholli u shpreh në vendimin që TCH e disponon se “nëse Gjykata Administrative do të shqyrtonte këtë kërkesë që lidhet me Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për zgjedhjen e z.Asim Vokshi anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ajo do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Në njëfarë mënyre, gjykata do t’i hapte rrugën një ndërhyrjeje të pashembullt mbi gjithë arkitekturën shtetërore” u shpreh gjyqtarja.

Në këtë vendim sillet në kujtesë se nëse do tejkalonte gjykatën e lartë do të shkelte katërcipërisht parimin e ndarjes së pushteteve, vendimi prej nga ku zgjidhet anëtari nuk është akt administrativ, por akt kushtetues. Paditësja ka afat pesë ditë për tu ankuar në kolegjin administrative të Gjykatës së Lartë, një vendim për të cilin Naureda Llagami mbasi u kontaktua nga TCH tha se do ta mendojë si do veprojë mbasi të lexojë veridiktin e zbardhur.

Por ky vendim nuk lidhet vetëm me të drejtat e Naureda Llagamit, por edhe me faktin se çështja për të cilën bëhet fjalë është ajo e gjyqtarit të zgjedhur Asim Vokshi.

Gjyqtari Asim Vokshi nuk është betuar ende si gjyqtar Kushtetues.

Top Channel