“Avionë privatë dhe aksese ekskluzive për foto”/ Gazetari spanjoll lëshon ‘bombën’, zbulon kërkesat e familjes së Yamal ndaj Barcelonës

13/10/2025 18:02

Lamine Yamal, një nga talentet më premtues të futbollit botëror, është tashmë një figurë kyçe për Barcelonën dhe për përfaqësuesen e Spanjës – pavarësisht se është vetëm 18 vjeç.

Por së fundmi, vëmendja nuk është përqendruar vetëm te performanca e tij në fushë.

Sipas gazetarit të njohur Romain Molina, familja e Yamal ka kërkuar privilegje të veçanta nga klubi katalanas, përfshirë përdorimin e avionëve privatë, akses ekskluziv për foto, si dhe favore të tjera personale. Barcelona, sipas Molinës, rrallëherë refuzon, për të shmangur tensione apo pakënaqësi që mund të dëmtojnë marrëdhënien me yllin e ri.

Në një video të publikuar në kanalin e tij në YouTube – me mbi 400 mijë abonentë – Molina shton se kërkesat nuk vijnë drejtpërdrejt nga lojtari, por nga rrethi i ngushtë i familjes së tij, duke përfshirë edhe të afërm apo miq të afërt.

Për momentin, Lamine Yamal është i dëmtuar, pasi vuan nga një problem në ijë. Ai u tërhoq nga grumbullimi i Spanjës për ndeshjet e tetorit ndaj Gjeorgjisë dhe Bullgarisë.

Barcelona njoftoi më 3 tetor se koha e rikuperimit të tij pritet të jetë 2 deri në 3 javë, çka nënkupton se Yamal mund të jetë gati për ndeshjen ndaj Girona-s më 18 tetor, në kuadër të La Ligës.

Yamal është tashmë një nga lojtarët më të paguar në skuadrën e Barcelonës, me një pagë vjetore prej afro 40 milionë euro para taksave, ose rreth 644 mijë paund në javë, duke e siguruar të ardhmen financiare të tij dhe të familjes së tij që në moshë shumë të re.

Që nga debutimi me Barcelonën në vitin 2023, Yamal ka qenë një faktor vendimtar në dy tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës, si dhe në suksesin e Spanjës në Euro 2024.

Top Channel