VIDEO/ Sulmi me armë zjarri në një lokal, vdesin 4 persona dhe plagosen mbi 20 të tjerë

12/10/2025 17:41

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në ishullin e Shën Helenës në Karolina e Jugut, ku një person i armatosur hapi zjarr në drejtim të një turme njerëzish brenda një lokali. Si pasojë, katër persona humbën jetën dhe të paktën 20 të tjerë mbetën të plagosur.

Në momentin e sulmit, ambienti ishte i tejmbushur dhe sipas njoftimeve zyrtare, oficerët e parë që mbërritën në vendngjarje gjetën shumë persona të plagosur nga arma e zjarrit.

“Viktima dhe dëshmitarë të shumtë u larguan me vrap, duke kërkuar strehim në biznese dhe banesa përreth”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga zyra e sherifit në Platformën X.

Autoritetet e përshkruan sulmin si një “incident tragjik dhe tejet i vështirë për komunitetin”, duke apeluar për durim dhe bashkëpunim ndërsa hetimet vazhdojnë.

Katër persona u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa më shumë se njëzet të plagosur po marrin trajtim mjekësor, ku katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike në spitalet lokale. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimave, ndërsa po vijojnë përpjekjet për të identifikuar autorin ose autorët e sulmit dhe për të zbardhur motivin e kësaj tragjedie.

 

Top Channel