
Kuqezinjtë i treguan Serbisë se mund ta mundin në tokën e saj edhe pa gjyqe në UEFA. Mund t’i mundim me cilësi, me zemër dhe me shumë guxim. Top Channel ju sjell notat e skuadrës kombëtare bazuar në performancën në fushë.
Strakosha – 8
I kujdesshëm në çdo lëvizje, dhuron qetësi dhe është njeriu që orienton prapavijën kuqezi sa herë Serbia niste aksionet. Disi jo efikase zgjedhja në pjesën e parë për ta rinisur lojën gjithnjë me pasime të gjata. I sigurt.
Hysaj – 8
Lexon mirë lojën e rivalëve, ofron qetësi përballë një “klienti” të vështirë si Kostiç, fton disa herë Brojën të niset si duhet dhe kur duhet. Një ndeshje fantastike në mbrëmjen kur arriti legjendarin Cana (92 ndeshje).
Ajeti – 8.5
Në anën e tij nuk kalon as miza. Me kokë, me këmbë, me forcë, me shpirt. Fut në “xhep” Vlahoviçin dhe përplaset si shkëmb me Mitroviçin. Çfarë kolosi në mbrojtje. Fantastik.
Gjimshiti – 8
Drithërues që në momentin kur nisi të këndonte himnin, dhe më pas fantastik edhe në fushë. Vlahoviç iu përvodh vetëm një herë në minutën e 30-të, ndërsa më pas gjithçka e diktoi ai: kapiteni fjalëpak i Shqipërisë. I fortë në ajër dhe i kudondodhur, duke i dhënë shpesh Mitajt mundësi të nisej përpara. Gjigant i heshtur.
Mitaj – 8
E nis i ndrojtur dhe mendon më shumë për mbrojtjen, por kur nis të bëjë atë që di, atëherë serbët bëhen më të ashpër. Pa sukses, sepse Mitaj vetëm e rriti nivelin e ndeshjes gradualisht, duke ndihmuar skuadrën në mënyrë të jashtëzakonshme edhe në fazën sulmuese.
Asllani – 7.5
Sakrifikon shumë dhe serbët e markojnë pa mëshirë, sepse e dinë që është “truri” kuqezi. Nuk ka kthjelltësi në disa pasime dhe është i pasaktë në disa gjuajtje, por nuk u dorëzua kurrë dhe luftoi sa mundi.
Shehu – 8
Po e quajmë “Busquets-i kuqezi” për një natë. Me qetësinë olimpike dhe mënyrën se si e shihte lojën, dukej si asi i Barcelonës dikur… Veproi në fushë me zgjuarsi, por edhe me agresivitet. I pakursyer në kilometrat që bëri dhe i mençur në mënyrën se si vepronte me topin. Çfarë lojtari!
Laçi – 8
Një pjesë e parë i përhumbur mes radhëve të mbrojtjes dhe disi i çoroditur, por në pjesën e dytë ishte thjesht një “traktor” që asfalton këdo që i del përpara. Rrëmben topa, jep asiste dhe vrapon sa për katër. Grintë e frikshme.
(Nga minuta e 68′ Bajrami – 7.5) Kishte shansin ta shkruante edhe ai emrin te goleadorët në këtë fitore historike, por e fali Serbinë me portierin përballë. Një djalosh me cilësi të jashtëzakonshme, që veproi mirë sa ishte në fushë, por jo në formë optimale.
Broja – 7.5
Ende larg nivelit të tij optimal, por lufton si luan në një pozicion që nuk është i tij. Egoist si gjithmonë në ndonjë rast, por shumë i çmuar kur vendos të fusë serbët në panik me topin në këmbë. I vetmi që e mbajti topin më shumë se 4 sekonda kundër serbëve që e markonin rreptësisht. Protagonist te sponda në rastin e golit.
(Nga minuta 63’ Hoxha – 8) Hyn dhe i deh serbët me elegancën e tij. Shpejtësi, forcë dhe sakrificë. Po të ishte pak më i saktë në pasin final, Shqipëria do ta mbyllte më herët këtë ndeshje.
Uzuni – 8
Majtas, djathtas, në qendër, në sulm dhe në mbrojtje. Asnjë kursim për fanellën. Ia shpërbleu Sylvinhos me sakrificë dhe zgjuarsi vendin e titullarit. I pjekur tashmë dhe i guximshëm pa masë, duke mos e tërhequr kurrë këmbën në ndonjë duel.
(Nga minuta 90’ Mihaj – Pa notë) I vëmendshëm.
Manaj – 9
Notën 10 do ta meritojë kur të na shënojë golin që na çon në Botëror – në play-off e kemi fjalën. Sepse ai di të bëjë shumë gjëra për herë të parë. Ai shënoi golin e parë kundër Serbisë, ai na dha fitoren e parë në fushë kundër Serbisë. Veproi si bishë në sulm, shënoi me “dhunë” dhe nuk ndaloi kurrë së luftuari. Po, bëri ndeshjen që e futi në histori. FENOMENAL!
(Nga minuta 78’ Daku – 7) Hyn i qartë fare në fushë: përplasu, rrëmbe topa, bëj sa më shumë dëm te kundërshtarët. Dhe ai e bën që ç’ke me të. Është specialist i “luftës”.
Trajneri Sylvinho – 8
Kishte vetëm një shans dhe ia doli. Luajti me tre sulmues në një ndeshje ku shumë të tjerë do ishin me idenë “të kapim ç’të kapim”. Skuadra e disiplinuar, e qartë në veprim dhe e shkurtër sa herë që duhej të shfaqej rrezik. Guxoi deri në aventurë, duke hedhur në fushë Hoxhën dhe Bajramin, kur të tjerët do preferonin mbrojtës dhe mesfushorë shkatërrues. Iu shpërblye guximi.
Top Channel