Një jetë e lidhur me tokën/ Historia e 89-vjeçarit nga Shumbati i Dibrës: Nuk e braktis fshatin, por fëmijët vijnë rrallë

12/10/2025 20:00

Ndodhemi në Terminalin Veri Jug në kthesën e Kamzës, nga ku do të nisemi së bashku me zotin Emerli Skarra, për të shkuar në fshatin Shumbat të Peshkopisë, rrugë të cilën zotëria e bënë thuajse çdo javë, për tu rikthyer në vendlindjen e tij, ku ka jetuar për 69 vite më radhë.

Emerli Skarra edhe pse në moshën 89 vjeçare vazhdon të kujdeset për shtëpinë e tij në fshat, aty ku e ka lënë edhe amanet se do të prehet.

Dua të rri veç këtu, jam i lirë. Më lini këtu të rroj këtu, me gruan e pa gruan se kam problem hiç, veç të rri këtu. Fëmijët më thonë mos shko vetëm”, shprehet Emerli Skarra.

Ndalesa e parë për të është gjithmonë një kafe në Peshkopi, kafe të cilën shumicën e rasteve e pi me të vëllain i cili jeton ende atje.

Dikur ka punuar si murator, ku ka ndërtuar jo vetëm banesat për familjen e tij por edhe për komunitetin verior.  E më pas, tre dekadat e jetës, i moshuari ia dedikoi bujqësisë.

“Unë me bujqësi jam marrë që në 1995, e lashë zanatin se kam qenë murator”, shton i moshuari.

Fshati për të ka gjithmonë diçka për të bërë, çdo punë sipas stinës, mirëmban tokat, që të marr më tej frytet e pemëve të mbjella.

Ndërsa zanatin e zdrukthëtarisë ia ka trashëguar të birit në kryeqytet, gjyshi 89 vjeçar na tregon me nostalgji, shtëpitë të cilat i ka ndërtuar 50 vite më parë, por sot ndonëse i sheh  duke u rrënuar, prapë kërkon të kthehet tek to.

“Kam bërë edhe shtëpinë e madhe që po ta shohësh do habitesh, e kam bërë pa ndihëm e kurrkujt. Një derë më shkonte një javë, e bëja me dorë jo me makineri si bëhen sot. Një djali im që rri sot në Tiranë, e mësoj edhe ai zanatin dhe e çoj në Bathore”, shton ai.

Emerliu përballet me shqetësimin e fëmijëve të cilët nuk duan ta vizitojë shpesh i vetëm Peshkopinë për shkak të moshës së thyer, por lidhja e fortë e 89-vjeçarit me vendlindjen, kalon çdo pengese.

“Unë do vdes këtu. Edhe katundi e din krejt se unë këtë vend nuk e lë. Do vdes këtu”.

Top Channel