
Pas një dite të mbushur me sinjale kontradiktore, duket se ka një afat më të qartë për lirimin e pengjeve izraelite që mbahen ende në Gaza.
Zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian, deklaroi se 20 pengje të gjalla pritet të lirohen “herët në mëngjes të së hënës”, në kuadër të marrëveshjes së fundit të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas kësaj marrëveshjeje, afati i fundit për lirimin e pengjeve është ora 10:00 e mëngjesit të së hënës, sipas orës lokale të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo është deklarata më konkrete e dhënë deri tani nga pala izraelite, shkruan Sky News.
Më herët gjatë ditës, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance tha se lirimi mund të ndodhte “në çdo moment”, ndërsa vetë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh se Izraeli ishte i gatshëm t’i pranonte pengjet “menjëherë”.
Ndërkohë, sa i përket trupave të pengjeve që kanë ndërruar jetë, Hamasi ka bërë të ditur më herët se procesi i dorëzimit të tyre mund të kërkojë më shumë kohë.
Në këmbim të lirimit të pengjeve, Izraeli pritet të lirojë rreth 2,000 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë. Në mesin e tyre përfshihen edhe rreth 1,700 persona të arrestuar nga forcat izraelite gjatë luftës në Gaza, të cilët janë mbajtur pa akuza që prej asaj kohe.
Ky shkëmbim po zhvillohet si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të ndalur përkohësisht luftimet dhe për të hapur rrugën për një zgjidhje më të qëndrueshme në konfliktin izraelito-palestinez.
Top Channel