Domatet nuk shiten/ Problem mbetet tregu për fermerët, në Elbasan mungon pika e grumbullimit

12/10/2025 20:01

Tregu nuk është i vështirë vetëm për fermerët e serave, por edhe për ata të fushës. Unë ndodhem në një parcelë me domate, ku janë kultivuar afërsisht 7,000 rrënjë. Fermerët kësaj here ia kanë lënë shitjen rastësisë, pasi blerësit i gjejnë në rrugë.

Fermerët kësaj here ia kanë lënë shitjen rastësisë, pasi blerësit i gjejnë në rrugë.

Kam 7,000 rrënjë domate. Ne presim të marrim 200 kuintal. Ne i shesim në rrugë, pasi ta dërgojmë në Elbasan nuk kemi leverdi. Kështu e shesim me qese, me kilogram, dhe çmimi është afërsisht 700–800 lekë të vjetra”, shprehet Qamile Kërçyku, fermerë.

Në fshatin Muçan të Elbasanit nuk ka asnjë pikë grumbullimi që të mbledhë prodhimin e fermerëve, dhe si alternativë e vetme tregu mbetet zona e Lixhës, ku blerësit e këtij prodhimi janë vizitorët e ujërave termalë. Por kjo formë shitjeje nuk garanton gjithmonë një ditë të mirë për njerëzit e tokës.

Ka ditë që nuk shesim dhe e hedhim prodhimin në kanal”, shton ajo.

Dëshira më e madhe e fermeres 64-vjeçare është të zotërojë një serë, me qëllimin e vetëm që ta shfrytëzojë atë gjatë gjithë vitit, por mungesa e financave e ka penguar ndërtimin e saj.

Nuk kemi pas para të ndërtojmë sera. Ajo kërkon për çdo vit shpenzime si plasmasi, shtyllat, plehrat kimike e të tjera”, thotë Qamile Kërçyku.

Kjo domate është çarë, jo sepse fermeri ka harruar ta vjelë, por sepse nuk ka ku ta shesë. Kësaj here as sasia dhe as cilësia nuk i siguroi fitimin. Përkundrazi, prodhimi po shkon dëm, pasi po kalbet në tokë.

Top Channel