Elseid Hysaj vazhdon të shkruajë historinë me fanellën kuqezi.

Mbrojtësi i djathtë i Lazio-s do të jetë titullar edhe sonte në sfidën e shumëpritur ndaj Serbisë, e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026, me nisje në orën 20:45.

Me këtë paraqitje, 31-vjeçari nga Shkodra arrin shifrën e 93-të me Kombëtaren shqiptare, duke e barazuar rekordin historik të Lorik Canës, ish-kapitenit legjendar të kuqezinjve. Nëse vazhdon në këtë formë, Hysaj pritet të bëhet shumë shpejt lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Kombëtares.

Statistikat flasin qartë për qëndrueshmërinë e tij: vetëm 10 herë ka hyrë në fushë si zëvendësues, ndërsa është zëvendësuar vetëm në 9 raste gjatë gjithë karrierës me Shqipërinë. Krahu i djathtë i mbrojtjes ka qenë praktikisht në pronësi të tij për më shumë se një dekadë.

Pas sfidës ndaj Serbisë, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore kundër Jordanisë në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku Hysaj ka të gjitha gjasat të vendosë përfundimisht rekordin absolut të paraqitjeve me fanellën kombëtare.

Top Channel