
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në fazën e dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Koncept-Ideve për masterplanin “Parku i Besimit”, një nismë e Korporatës së Investimeve Shqiptare në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.
Në këtë fazë, 12 ekipe finaliste me arkitektët më prestigjiozë në botë nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia, paraqesin propozimet e tyre përpara një jurie ndërkombëtare, me synimin për të përzgjedhur konceptin fitues që do të formësojë një hapësirë kushtuar harmonisë fetare, bashkëjetesës dhe trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
“Faleminderit shumë që jeni të gjithë këtu, si miq, si ndërtues urash. Më lejoni ta nis duke thënë se për mua personalisht është një moment fantastik. Prej shumë kohësh pres me padurim që kjo nismë të gjejë hapësirë dhe të nisë të gjallojë. Jemi mbledhur në këtë vend që dikur formësohej nga gjuha e ashpër e urdhrave dhe divizoneve të kazermave ushtarake. Do të kemi mundësi të hapim këtë hapësirë për një qëllim krejt të ndryshëm. Për njerëz krijues e të talentuar. Më shumë se kaq, po nisim diçka me terma konkrete përballë dhjetëra projekteve për të ardhmen e një zone që do të bëhet parku i besimit. Ju fton të vini të mrekulloheni te qëndresa e heshtur e pemëve.
Të vini re formën e pemëve të ullirit në erë. Zoti mbolli kopshtin, pastaj vendosi njeriun. Këto pemë, nuk u zgjodhën thjesht për bukuri por qëndruan në hije të zbulimit dhe u kthyen në strehe për mëshirë. Ky park nuk është një muze besimi, por shkruhet me rrënje. Një park që ndërthen besime e përkatësi. Në përmasat e veta mjaft modeste, një vend ku askush nuk pyetet në çfarë anë qëndron, por a mundesh ende të mrekullohesh nga jeta. Ne shqiptarët nuk kemi nevojë ta shpikim tolerancën, sepse jemi rritur prej saj.”-u shpreh Rama gjatw fjalws sw tij.
Top Channel