
Një polic është vënë në pranga, pasi u konstatua se kultivonte lëndë narkotike dhe mbante armë pa leje.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. L., me detyrë Trupë shërbimi / Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Fushë – Krujë i dyshuar për kryerjen e veprave penale “ Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, njofton AMP.
Arrestimi i tij u bë i mundur në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëpunimi”, ku nga hetimet dyshohet se punonjësi i policisë në bashkëpunim me vëllain e tij Ç. L., (i shpallur në kërkim), rreth orës 11:30 kanë qenë të pranishëm në një zonë pyjore në Njësinë Administrative Cudhi, Krujë.
Ata janë konstatuar në parcela me 65 bimë narkotike të dyshuar “Cannabis Sattiva”. Pasi kanë konstatuar praninë e policisë vëllezërit janë larguar për t’i shpëtuar kapjes.
Nga kontrolli fizik iu gjetën dy armë zjarri tip pistoletë të markës “TT” dhe një sasi fishekë. Gjatë kontrollit të banesës gjithashtu u gjet një sasi tjetër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Top Channel