Formacionet e mundshme/ Sylvinho i beson rreshtimit “bazë”, cilat janë 11-shet që priten të hedhin në fushë të dyja skuadrat

11/10/2025 10:07

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje në Leskovc seancën e fundit stërvitore përpara përballjes me Serbinë, një ndeshje që pritet me interes të madh nga tifozët kuqezi.

Pas përfundimit të seancës, trajneri Sylvinho duket se ka hedhur dritë të plotë mbi 11-shen që do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme.

Sipas raportimeve të gazetarit të Top Channel, Endi Tufa, kuqezinjtë do të nisin me Strakoshën në portë. Katërshja mbrojtëse do të përbëhet nga kapiteni Hysaj në të djathtë, Ajeti e Gjimshiti në qendër dhe Mitaj në të majtë.

Në mesfushë, pritet të vendosen Asllani, Laçi dhe Shehu, ndërsa përpara tyre do të operojnë Broja dhe Bajrami nga krahët, me Manajn si pikë referimi në majë të sulmit.
Në kampin serb, trajneri Stojkoviç konfirmoi në konferencën për shtyp se Petroviç do të mbrojë portën. Në prapavijë do të vendosen Erakoviç, Pavloviç dhe Veljkoviç, që zë vendin e Milenkoviç, një prej shtyllave kryesore të skuadrës.

Në mesfushë bie në sy debutimi i Aleksandar Stankoviç, 20-vjeçarit që po spikat me Club Brugge pas largimit nga Interi, ndërsa në krah do të veprojë veterani Filip Kostiç. Në sulm, Serbia pritet të luajë me dyshen e zakonshme Mitroviç–Vlahoviç, të mbështetur nga Samarxhiç, i cili po shkëlqen këtë sezon me Atalantën.

Një duel i zjarrtë pritet në “Duboçiça Stadium”, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën mes dy përfaqësueseve që vijnë me objektiva të qarta për fitore. Sfida starton në orën 20:45 dhe të gjithë tifozët shqiptarë kanë mundësinë ta ndjekin live dhe ekskluzivisht në DigitAlb.

Top Channel