E vërteta mbi mbërritjen e Kombëtares në Serbi/ Pa ndalesa, me masa të larta sigurie

11/10/2025 11:13

Nga Ilir Demalia

Në disa media shqiptare po qarkullon një lajm i pasaktë që pretendon se Kombëtarja shqiptare dhe delegacioni i saj janë ndaluar dhe mbajtur për më shumë se dy orë në Aeroportin e Nishit. Këto informacione nuk qëndrojnë dhe krijojnë konfuzion të panevojshëm në opinionin publik.

E vërteta është krejt ndryshe: Sapo Kombëtarja shqiptare zbriti nga avioni i linjës “Air Albania”, anëtarët e ekipit dhe delegacionit shoqërues u transportuan menjëherë me autobusë të dedikuar, pa kaluar fare nëpër ambientet e zakonshme të Aeroportit të Nishit apo nëpër kontrollin kufitar aty. Të gjithë janë dërguar drejtpërdrejt në hotelin e rezervuar jashtë qytetit, nën masa të rrepta sigurie.

Gjatë gjithë lëvizjes së delegacionit shqiptar, rrugët janë bllokuar dhe janë shoqëruar nga forca të shumta policore dhe një nivel sigurie të lartë. Pasaportat e delegacionit janë grumbulluar nga autoritetet dhe janë përpunuar më pas, duke shmangur çdo pritje apo kontakt në aeroport.

Po ashtu, disa media kanë nxitur konfuzion edhe për mungesën e flamurit shqiptar në stadium. Është e rëndësishme të saktësohet se flamuri do të vendoset, siç është praktika standarde në ndeshjet ndërkombëtare, dhe çdo spekulim tjetër është i pabazë.

Për fat të keq, disa raportime i janë afruar më shumë një patriotizmi folklorik dhe sensacionalist sesa gazetarisë së vërtetë, duke tentuar të krijojnë lajm aty ku nuk ka. Një qasje e tillë jo vetëm që dëmton etikën profesionale të gazetarisë, por edhe cenon besueshmërinë e medias në sytë e publikut.

Deri në këto momente, çdo gjë po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe korrekte, nën masa sigurie të larta dhe në koordinim të plotë me autoritetet përkatëse.

Top Channel