
Një letër anonime kërcënuese, që paralajmëronte një sulm të mundshëm me thikë në fundjavë, është gjetur në Katedralen Notre-Dame në Paris.
Lajmi raportohet nga gazeta Le Parisien, e cila thekson se ngjarja ka ndodhur të premten pasdite.
Letra u zbulua nga sakristani i katedrales, pranë zonës ku vendosen qirinjtë. E shkruar me makinë shkrimi, letra përmbante një mesazh alarmant: “Mos e hapni katedralen më 11 dhe 12 tetor. Do të ketë vizitorë të huaj të cilët, me ndihmën e vizitorëve të tjerë, kanë fshehur tashmë thika në katedrale ditët e fundit. Ata do të kryejnë një masakër. Ju lutem mos e hapni katedralen.”
Menjëherë pas zbulimit të letrës, sakristani njoftoi stafin e sigurisë, të cilët vendosën që të mos evakuojnë ndërtesën, por ndërmorën masa të menjëhershme sigurie. Ambientet e katedrales iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm, me fokus të veçantë në kërkimin e armëve të mundshme të fshehura brenda godinës.
Policia u informua dhe është hapur një hetim zyrtar për të identifikuar autorin e letrës dhe për të përcaktuar nëse kërcënimi përbën një rrezik real. Deri tani nuk është konfirmuar gjetja e ndonjë arme apo elementi të dyshimtë në vend.
Ngjarja vjen në një kontekst të ndjeshëm për Francën, që vazhdon të përballet me tensione të larta sigurie dhe kujtime të freskëta nga sulmet terroriste të së kaluarës.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë dhe masat shtesë të sigurisë janë shtuar për fundjavën në Katedralen Notre-Dame dhe zona të tjera të ndjeshme të kryeqytetit francez.
Top Channel