Zhvillimi i armëve strategjike, Presidenti Putin: S’është problem nëse SHBA refuzon zgjatjen e marrëveshjes bërthamore

10/10/2025 18:55

Presidenti Vladimir Putin deklaroi këtë të premte se Rusia po zhvillon armë të reja strategjike dhe se nuk do të ishte kritike për Moskën nëse Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë të zgjasin kufijtë e kokave bërthamore të përcaktuara në traktatin “New START”, i cili skadon vitin e ardhshëm.

Megjithatë, Putin tha se do të ishte për të ardhur keq nëse asgjë nuk do të mbetej nga kuadri i kontrollit të armëve midis dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

Duke folur për gazetarët gjatë një samiti në Taxhikistan, ai u shpreh se një garë e re armatimesh tashmë ka nisur. Rusia, sipas tij, është e gatshme të zgjasë kufijtë e përcaktuar në marrëveshjen “New START”, që skadon në muajin shkurt, nëse edhe SHBA pranon të bëjë të njëjtën gjë. Deri më tani, Uashingtoni nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare.

“Do të mjaftonin disa muaj për të marrë një vendim për zgjatjen e marrëveshjes. Nëse ka vullnet të mirë, është e mundur. Por, nëse amerikanët vendosin se nuk e duan, për ne nuk është ndonjë problem i madh”, tha Putin.

Kreu i Kremlinit shtoi se Rusia po vazhdon të zhvillojë dhe testojë armë bërthamore të gjeneratës së re.

“Ne jemi gati të negociojmë nëse kjo është e pranueshme dhe e dobishme për amerikanët. Nëse jo, atëherë s’ka problem, por do të ishte për të ardhur keq, sepse do të zhdukej çdo mekanizëm frenues në fushën e armëve sulmuese”, shtoi ai.

Për herë të dytë brenda një jave, Putin iu referua mundësisë që vende të tjera pa i përmendur me emër  mund të kryejnë testime bërthamore, diçka që këtë shekull e ka bërë vetëm Koreja e Veriut. Ai paralajmëroi se nëse ndonjë vend tjetër kryen një test të tillë, edhe Rusia do të bëjë të njëjtën gjë.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se një test bërthamor nga një vend do të shkaktonte një efekt zinxhir, duke nxitur edhe fuqitë e tjera bërthamore të bëjnë të njëjtën gjë, dhe për rrjedhojë, do të shtonte më tej tensionet gjeopolitike tashmë të larta.

“Gjithmonë ekziston tundimi për të testuar karburantin që ka qenë në përdorim për shumë vite. Shumë gjëra tani simulohen në kompjuter, dhe disa ekspertë mendojnë se kjo është e mjaftueshme, por ka edhe të tjerë që besojnë se nevojiten testime reale”, tha Putin.

“Sipas informacioneve që kam, disa vende po e shqyrtojnë këtë mundësi dhe madje po përgatiten. Prandaj, nëse ata e bëjnë, edhe ne do të veprojmë njësoj”, theksoi presidenti rus, duke shtuar se kjo do të ishte e mirë për sigurinë, por e keqe për frenimin e garës së armatimeve.

Top Channel