
Sheshi “Skënderbej” u kthye sot në një qendër të madhe të bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare, ku fermerë, blegtorë dhe sipërmarrës prezantuan produktet e tyre në panairin “Tirana Food and Fest 2025”.
Ata sollën në zemër të kryeqytetit produkte tradicionale nga prodhues vendas e kompani të huaja.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sula, vlerësoi organizimin dhe nënvizoi rëndësinë që kanë ngjarje të tilla për promovimin e produkteve shqiptare.
“Falenderoj pa masë organizatorët sepse bënë një punë të jashtëzakonshme që ndikon shumë në promovimin e të gjithë produkteve që fermerët bëjnë. Fermerët kanë gjithë atë punë të madhe gjatë gjithë vitit për të bërë produktet e tyre, por e rëndësishme është që edhe t’i promovojnë ato,” – tha Sula.
Ai shtoi se panaire të tilla ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimeve dhe në njohjen e markave shqiptare jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë ndërkombëtar.
“Për mua rëndësi të madhe ka të shoh edhe turistët dhe të gjithë të tjerët këtu që Tiranën e ka falur Zoti me gjithë këtë kohë të mirë, me gjithë këtë ambient që nuk para i gjen në vende të Europës në këto kohë. Kështu që fermerët tanë kanë të gjithë mundësinë për të bërë punë shumë të mira gjatë gjithë vitit, por që punët e mira të bëhen duhet dhe mbështetja e institucioneve”, u shpreh ai.
Nënkryetari Sula konfirmoi mbështetjen e plotë të Bashkisë së Tiranës për çdo nismë që ndihmon zhvillimin rural dhe bujqësor.
“Bashkia e Tiranës do të mbështesë çdo iniciativë që ka të bëjë me zhvillimin dhe ndihmën ndaj fermerëve, ndaj zhvillimit rural dhe të gjithë të tjerëve. Sa më shumë iniciativa të tilla, sa më shumë promovime. Kemi nevojë që të promovojmë produktet tona sepse kanë cilësi të jashtëzakonshme”, deklaroi Sula.
Tirana Food and Fest 2025 do të qëndrojë i hapur në Sheshin “Skënderbej” deri më 12 tetor, duke ofruar një mundësi unike për qytetarët dhe vizitorët që të njihen nga afër me shijen dhe cilësinë e produkteve shqiptare.
Top Channel