
Mes vështirësive që ka ngjallur tejmbushja e burgjeve në Belgjikë, qeveria e këtij vendi po bën përpjekje për gjetjen e një zgjidhje, dhe këtu duket gjen frymëzim tek marrëveshja Danimarkë-Kosovë.
Burgjet në Belgjikë janë të mbushur në limitet e tyre dhe mungojnë rreth 2000 vende. Sipas agjencisë belge të lajmeve, Belga, ekzekutivi atje po shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose të ndërtimit të një burgu në Kosovë për të vendosur atje personat e dënuar ose persona pa leje qëndrimi në Belgjikë.
Kosova ka një marrëveshje të ngjashme me Danimarkën. Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, si dhe ministrja e Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, së fundi udhëtuan drejt Prishtinës për të zhvilluar bisedime lidhur me këtë. Burgjet e mbushura në limitet e kapaciteteve të tyre janë kthyer në problem për Belgjikën. Këtë verë hyri në fuqi një ligj i ri, në bazë të të cilit në aktgjykimet për dënimin me burg duhet të argumentohet me saktësi se përse është domosdoshmërisht i nevojshëm dënimi me burg. Në vitin 2014 Belgjika u dënua nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të kushteve jodinjitoze në burgje dhe vazhdimisht pas kësaj ky vend është kritikuar nga Këshilli i Europës. Kosova dëshiron mbështetje nga Belgjika në rrugën e saj të afrimit me BE-në si një vend i mundshëm kandidat për anëtarësim, vë në dukje agjencia e lajmeve Belga.
Top Channel