
Një shpërthim i fuqishëm në një kompani të specializuar në prodhimin e eksplozivëve ushtarakë në Tenesi ka shkaktuar disa viktima, ndërsa 19 persona rezultojnë të zhdukur, sipas raportimeve të para nga autoritetet lokale dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.
Ngjarja ndodhi të premten në orët e vona në objektin e kompanisë që ka marrë përsipër prodhimin e eksplozivëve, në jugperëndim të qytetit Nashville. Kompania është një nga furnizuesit kryesorë të eksplozivëve për përdorim ushtarak në SHBA.
Gjatë një konference për shtyp, sherifi i qarkut, Chris Davis, konfirmoi se shpërthimi ka shkaktuar humbje jetësh, megjithëse numri i saktë i viktimave ende nuk është bërë publik.
Ekipet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po përpiqen të vënë nën kontroll zjarrin që shpërthimi ka shkaktuar në ambientet e fabrikës. Sipas autoriteteve, ekziston ende rreziku i shpërthimeve të tjera, gjë që po e vështirëson ndërhyrjen e plotë të zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit.
Banorët e zonës përreth raportojnë se kanë ndier tronditjen e shpërthimit, ndërsa disa prej tyre janë evakuuar si masë paraprake për shkak të përhapjes së mundshme të tymrave toksikë apo materialeve të rrezikshme.
Bilanci i viktimave dhe personave të zhdukur mund të ndryshojë gjatë orëve në vijim, teksa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.
Top Channel