“Rusia është më keq se Hamasi”, Ukraina kërkon reagim ndërkombëtar ndaj sulmeve ruse

10/10/2025 18:20

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmeve të fundit të Rusisë ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë.

“Terroristët rusë goditën infrastrukturën civile, veçanërisht atë energjetike, në të gjithë Ukrainën me qindra dronë dhe raketa. I bëj thirrje të gjithë partnerëve të reagojnë fuqishëm. Putini e bëri këtë më 10 tetor, përvjetorin e sulmit të parë në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës në vitin 2022”, shkroi Sybiha në rrjetin X.

Sipas tij, këto sulme janë një dëshmi e qartë se në tre vjet udhëheqësi rus nuk ka ndryshuar as metodat agresive, as qasjen terroriste, duke refuzuar çdo përpjekje të sinqertë diplomatike apo paqësore.

“Rusia është më e keqe se Hamasi. Edhe Hamasi ka pranuar një armëpushim dhe përpjekje për paqe. Përkundrazi, Moska vazhdon një luftë të pakuptimtë që nuk mund dhe nuk do ta fitojë. Si pasojë e këtij sulmi masiv, një djalë 7-vjeçar u vra në Zaporizhzhia dhe dhjetëra civilë të tjerë u plagosën në mbarë vendin”, tha Sybiha.

Ai shtoi se shumë qytete, përfshirë Kievin, Kharkivin, Poltavën, Zaporizhzhian, Dnipropetrovskin dhe rajone të tjera, kanë mbetur pa energji elektrike pas goditjeve ndaj objekteve energjetike.

Sybiha theksoi se privimi i civilëve nga energjia elektrike gjatë të ftohtit të vjeshtës përbën një akt gjenocidi, sipas Nenit II të Konventës së Gjenocidit, pasi krijon kushte të padurueshme jetese me qëllim shkatërrimin e një grupi kombëtar.

“Presioni mbi Moskën është e vetmja recetë që mund të funksionojë, por duhet të jetë i fortë dhe i bashkërenduar. Presioni ekonomik përmes sanksioneve të ashpra, presioni ushtarak përmes mbështetjes më të fortë për Ukrainën dhe presioni politik përmes izolimit të plotë. Putini duhet të ndiejë se kostoja e vazhdimit të luftës është më e lartë se ajo e ndalimit të saj”, përmbylli ministri ukrainas.

Ndërkohë, një ditë më parë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu besimin se Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë së shpejti negociata për një armëpushim, ai gjithashtu u shpreh optimist se do të ketë sukses në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia.

Top Channel