Ribashkimi i fëmijëve të prekur nga lufta në Ukrainë, Zonja e Parë e SHBA-së Trump zbulon bashkëpunim me Putinin

10/10/2025 19:10

Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, deklaroi këtë të premte se ajo dhe Presidenti rus, Vladimir Putin, kanë mbajtur një kanal të hapur komunikimi për çështjen e fëmijëve të prekur nga lufta Rusi–Ukrainë.

“Në fakt, tetë fëmijë janë ribashkuar me familjet e tyre gjatë 24 orëve të fundit”,  tha ajo në një fjalim të shkurtër të mbajtur në Hollin e Madh të Shtëpisë së Bardhë.

Melania Trump shpjegoi se i kishte dërguar një letër presidentit rus, duke theksuar se kishte ardhur koha për të mbrojtur fëmijët e prekur nga lufta disavjeçare. Letra iu dorëzua personalisht Putinit nga Presidenti Donald Trump gjatë takimit të tyre në Alaskë, në muajin gusht.

“Ai u përgjigj me shkrim, duke sinjalizuar gatishmërinë për të bashkëpunuar drejtpërdrejt me mua dhe duke ofruar detaje për fëmijët ukrainas që ndodhen në Rusi”, tha Zonja e Parë.

Gjithashtu ajo deklaroi se Rusia ka treguar gatishmëri për të ofruar informacion të saktë dhe të detajuar mbi situatën aktuale

Melania Trump më tej  shtoi se ka marrë një raport të plotë mbi tetë fëmijët e ribashkuar, me të dhëna të konfirmuara nga qeveria amerikane dhe të përfshira në dokumente zyrtare.

“Kjo është një iniciativë që më qëndron thellë në zemër. Ajo është ndërtuar mbi një qëllim të përbashkët dhe një ndikim të qëndrueshëm”, tha ajo, duke theksuar se planet janë tashmë në proces për të ribashkuar më shumë fëmijë në të ardhmen e afërt.

“Shpirti i një fëmije nuk njeh kufij apo flamuj. Ne duhet të krijojmë një të ardhme për fëmijët tanë, një botë plot potencial, siguri dhe liri, ku ëndrrat realizohen në vend që të shuhen nga lufta”, përfundoi Zonja e Parë

Top Channel