Partneriteti i Tirana Bank dhe BERZH, 10 mln euro për të mbështetur bizneset e vogla e të mesme dhe financimin e tregtisë

10/10/2025 20:08

Tirana Bank ka ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm në forcimin e rolit të saj si katalizator i rritjes së qëndrueshme dhe inovacionit në Shqipëri.

Banka ka nënshkruar një marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke siguruar një paketë financiare deri në 10 milionë euro për të mbështetur dy prioritete kyçe: fuqizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme (NVM) dhe zhvillimin e mëtejshëm të financimit të tregtisë.

Ky bashkëpunim shënon partneritetin e parë mes Tirana Bank dhe BERZH, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve të qëndrueshme dhe inovacionit financiar ndërsa Shqipëria vazhdon rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit në tregjet evropiane dhe rajonale.

Charlotte Ruhe, Drejtuesja Rajonale e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, theksoi rëndësinë e kësaj nisme.

“Jemi të lumtur të nisim partneritetin me Tirana Bank për të zgjeruar qasjen në financime të gjelbra dhe mbështetje tregtare në Shqipëri. Ky bashkëpunim është i rëndësishëm për të nxitur rritjen e qëndrueshme, për të forcuar konkurrueshmërinë rajonale dhe për të ndihmuar bizneset lokale të përafrohen me standardet ndërkombëtare”, u shpreh Charlotte Ruhe, Drejtuese Rajonale e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Për drejtorin e Përgjithshëm të Tirana Bank, Dritan Mustafa ky partneritet  dëshmon vizionin afatgjatë për fuqizimin e bizneseve shqiptare.

“Jemi krenarë që po bashkëpunojmë me BERZH-in për dy iniciativa me ndikim të madh, të cilat dëshmojnë vizionin tonë afatgjatë për fuqizimin e bizneseve shqiptare. Kredia SME Reboot ndihmon bizneset e vogla të investojnë në teknologji të gjelbra, ndërsa linja e financimit të tregtisë forcon aftësinë tonë për të mbështetur tregtinë ndërkufitare. Këto programe pasqyrojnë angazhimin tonë për të nxitur një zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, duke e pozicionuar Tirana Bank si një katalizator për inovacionin dhe konkurrueshmërinë në tregun shqiptar”, tha Dritan Mustafa,  Drejtor i Përgjithshëm i Tirana Bank.

Tirana Bank, pjesë e grupit Balfin, është themeluar në vitin 1996 si banka e parë private në Shqipëri. Partneriteti me BERZH përfaqëson një hap të natyrshëm përpara, duke forcuar ambicien e Tirana Bank për të qenë një mbështetëse kryesore e investimeve të qëndrueshme dhe një partner financiar i besuar për bizneset e çdo madhësie.

 

 

Top Channel