
Vetëm në pesë nga gjashtë qytetet e vendit të cilat sot janë pa kryetar Bashkie do të mbahen zgjedhje në 9 nëntor, ndërkohë që për Tiranën tashmë nuk ka një datë.
Gjithçka do të vendoset pas mbledhjes së Gjykatës Kushtetuese në 31 tetor, e cila do të shqyrtojë ankimimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pas shkarkimit nga detyra.
E vetmja gjë e sigurt është që në Tiranë në 9 nëntor nuk do të mbahen zgjedhje.
Këtë e konfirmoi sot edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili tha në një konferencë për mediat se ka pezulluar punën për përgatitjen e zgjedhjeve në kryeqytet.
Pavarësisht pezullimit nga Gjykata Kushtetuese të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë në 9 Nëntor, Partia Socialiste ka vijuar fushatën me kandidaten e saj, Ogerta Manastirliu. Ish-ministrja socialiste që do të lërë mandatin e deputetes për të garuar për vendin e lënë bosh pas arrestimit të Erion Veliajt, është takuar me mjekë dhe infermierë për të diskutuar rolin që ka bashkia në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
I pyetur në konferencën e sotme për shtyp lidhur me deklaratat e kandidatit të opozitës, Sali Berisha tha se një kandidat i pavarur, pavarësisht se mbështetet nga parti politike, nuk ka pse të bëjë fushatë me kryetarët e këtyre partive. “E përshëndes plotësisht këtë deklaratë. Ka një rrymë që nuk realizojnë dot dallimin mes kandidatit të pavarur të mbështetur nga partitë politike dhe kandidatit jopartiak të propozuar nga partitë. Kandidati jopartiak i propozuar nga parti politike është kandidat i partisë politike”.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi KQZ ka pezulluar procesin e përgatitjeve për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Nga konferenca për media, Celibashi tha se pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, KQZ ndërpreu procesin e përgatitjeve për Tiranën. Ndërkohë kryekomisioneri tha se vijon normalisht procesi për 5 bashkitë e tjera që do të shkojnë në zgjedhje më 9 nëntor.
Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka folur për herë të parë rreth këtij vendimi, teksa dha edhe një deklaratë të fortë në “Top Story”. Ai u shpreh se nuk do të dalë në fushatë as me Sali Berishën dhe as me drejtues të tjerë të partive opozitare. Binaj shtoi se nuk ka folur ende me Berishën, teksa ka kërkuar që të ketë bashkëpunime vetëm me grupe pune për fushatën.
Top Channel